Policia shqiptare ka kërkuar informacion nga autoritetet e Kosovës dhe Suedisë, në kuadër të hetimeve për atentatin e dyfishtë në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani.
Sipas BW, interesi i hetuesve lidhet me automjetin tip Volvo, të përdorur nga autorët, i cili ishte futur në Shqipëri nga Kosova tre vite më parë e që ishte denoncuar si i vjedhur në Suedi.
Hetuesit dyshojnë se për futjen e makinës Volvo në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës, janë të përfshirë shtetas kosovarë.
Ndërsa, nga autoritetet suedeze kërkohen të dhëna mbi historikun e vjedhjes së automjetit dhe nëse janë identifikuar personat përgjegjës.
Sigurimi i këtyre të dhënave, mund të ndihmojë hetuesit për të siguruar prova që mund t’i çojë në identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në atentat.
Makina tip Volvo u gjet e djegur në Dërmenas të Fierit pas kryerjes së atentatit, brenda së cilës ndodheshin dhe katër armë zjarri, tre prej të cilave me silenciator.
Selami Hasani, i njohur si Sel Çami kishte vetëm 20 ditë që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja.












