Pas rrëfimeve të bujshme të Chiara Ferragnit në dokumentarin e saj të ri në Netflix, vëmendja është zhvendosur te reagimi i ish-bashkëshortit të saj, Fedez.
Sipërmarrësja italiane ka zbuluar disa nga momentet më të vështira të martesës së tyre, duke e cilësuar marrëdhënien si “jashtëzakonisht toksike” dhe duke treguar se si zbuloi bisedat e reperit me një tjetër grua. Deklaratat e saj kanë rikthyer në qendër të vëmendjes historinë e ndarjes së një prej çifteve më të njohura të showbiz-it italian.
Ndërkohë, Fedez nuk ka bërë ende asnjë reagim të drejtpërdrejtë për fjalët e ish-bashkëshortes. Megjithatë, në orët pas publikimit të dokumentarit, reperi ka ndarë një fotografi në Instastory që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve.
Ai është shfaqur në një selfie në ashensor, përkrah partneres së tij aktuale, Giulia Honegger. Një postim që vjen në një moment kur jeta e tij private është sërish në qendër të diskutimeve, pas rrëfimeve të Ferragnit për martesën e tyre.
Pa iu përgjigjur drejtpërdrejt akuzave, Fedez duket se ka zgjedhur të ndajë një moment nga marrëdhënia e tij e re, ndërsa ish-bashkëshortja ka vendosur të rikthejë publikisht një kapitull të vështirë të së kaluarës së tyre.

