Elisa Spiropali doli sot në një konferencë për mediat, pas përjashtimit nga PS, ku bëri një sërë deklaratash të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Ajo foli për arsyet e përplasjes me të, qëndrimin e saj ndaj çështjes Balluku, nevojën për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes dhe kërkoi hapjen e garës për kreun e PS-së, duke theksuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Që në nisje të deklaratës së saj, Spiropali e cilësoi përjashtimin nga partia si një “dekoratë”, duke theksuar se është gruaja e parë në 35 vite që përjashtohet nga një forum i Partisë Socialiste për qëndrimet e saj.
“Unë jam e para grua në 35 vite që përjashtohem nga PS dhe po e marr si dekoratë këtë. Unë isha dhe kryetarja më e re e zgjedhur nga Kuvendi dhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie, mendoj se nuk duhet të habitemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu, kur ata që duhet të ikin, rrinë,. Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të zhvillimit të saj.
Unë kam mbajtur këtë qëndrim për udhëkryqin ku ndodhet Shqipëria, që të ngrihemi nga ky sistem aktual, për t’ju përgjigjur të rinjve dhe dëshirës për më shumë demokraci brenda partive, në Kuvend, institucione, për mënyrën sesi vepron pushteti dhe vendimmarrje.
Sistemi elektoral ka prodhuar një moçal politik, një stanjacion të qarkullimit të elitave, nuk pulson më nevoja për ndryshim”, tha Spiropali.
U ndava me Ramën se legjitimoi modelin Balluku
“Krisjet” me Ramën ajo e lidhi me qëndrimin e tij ndaj çështjes Balluku.
Ajo tha se ishte ndër deputetët që nuk votuan sipas qëndrimit të grupit parlamentar në një çështje të paraqitur nga SPAK, duke argumentuar se kundërshtimi i saj lidhej me legjitimimin e një modeli qeverisjeje dhe jo me një individ të caktuar.
Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një model ekonomik meritokratik dhe për një mënyrë tjetër të ushtrimit të pushtetit.
Meqë folët për votim në kuvend, ndoshta isha një nga dy deputetët që nuk votoi me grupin në një çështje të prezantuar nga SPAK. Në atë moment, dhe për atë mora, jo vetëm kritika të brendshme por edhe të famshmin fat për përjashtim, që iu përgjigja ‘më përjashto’. Më përjashto sepse në atë moment gjithçka imja, gjykimi, analiza e gjithçka tjetër më bënte të besoja se ky ishte votimi i duhur.
Nuk mund të votoja sepse i dija edhe pasojat. Pasojat nuk janë të individit sepse shoh lloj lloj telenovelash në raport me emrin e personit. Nuk është individi problemi por legjitimimi i atij modeli.
Këtu ka qenë ndarja ime në kuptimin e një akti politik për imunitetin dhe gjithçka tjetër ka ardhur duke u sqaruar nga unë shumë konkretisht. Ne do të vazhdojmë të kemi një model qeverisje që shpërndan favore me telefon apo model ekonomik meritokratik ku njerëzit të ndihen se janë pjesë”, tha Spiropali.
Sfida për Ramën: Të hapet gara për kryetar
Një nga mesazhet kryesore të Spiropalit ishte kërkesa për hapjen e garës për drejtimin e Partisë Socialiste, pas 17 vitesh në krye të kësaj force politike nga Edi Rama.
Ajo deklaroi se nuk ka kryetar të përjetshëm dhe se askush nuk është i pazëvendësueshëm, duke lënë të kuptohet se është e gatshme të përballet në një garë për drejtimin e partisë.
“Nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama! Di vullnetin tim. Di që më duan socialistët, se kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira, jo vetëm në Kuvend përballë opozitës. Jam e majtë, progresiste e bindur. Nëse duan të bëjmë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm.
Kemi statutin, por nuk është as Bibël dhe as Kuran. Nuk heq dorë nga mandati. Kam punuar jo vetëm për veten, por që të marrin vota edhe të tjerë. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, në Kukës, në Shkodër.
S’e kam problem ta përfundoj karrierën time politike. I detyrohem forcës sime politike, e dua atë forcë. S’kanë lidhje me ato vendimmarrje! Sfida është kjo: të hapet gara në PS. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë mund të garojnë në PS. Pse, kush është i pazëvendësueshëm?”, tha ajo.
Mesazh i drejtpërdrejtë për kryeministrin: Të mbajë përgjegjësi ose të largohet
Ish-kryetarja e Kuvendit iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës, duke i kërkuar të ndryshojë mënyrën e qeverisjes ose të largohet nga drejtimi.
“Edi Ramës duke i thënë sot në këtë pikë që është domosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes ose të ikë. Ose ta bëjë këtë punë si burrë, si udhëheqës si lider dhe të mbajë përgjegjësi ose të lëvizë nga ai pozicion.
Mos të mbrojë të pambrojtshmit. Nuk bëhet kjo as me propagandë dhe as me pasqyra. As nuk normalizuar arrogancën dhe abuzimin e shumë njerëzve aty, por bëhet duke mbajtur përgjegjësi. Unë do luftoj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në PS dhe në publik për të bashkuar ata njerëz që ndihen të pa përfaqësuar në PS” – u shpreh ajo.
“Edhe 100 kallëzime të bëjnë në SPAK, nuk më shantazhojnë dot”
Spiropali foli edhe për regjistrimin e kallëzimit penal nga SPAK për familjarët e saj.
Ajo tha se për të nuk ka asnjë shqetësim, ndërsa shtoi se nuk është e shantazhushme dhe se do të vijojë të jetë përballë.
“Jo një kallëzim, por të vihen në rresht dhe të bëjnë 10 kallëzime, nuk kam pikën e problemit. Kur kam nisur këtë betejë e kam ditur se çfarë vjen. 10 kallëzime të bëjnë, sa të duan. Mos e përfshini SPAK-un.
Nuk kam asgjë për të fshehur. Jam aty përballë, nuk jam e shantazhueshme, s’më bëjë dot asnjë shantazh. Një kallëzim anonim. Le të bëjnë 10-100, jam krenare për familjen time.” – tha ajo.
Spiropali për Ballukun: Viktimë e sistemit
E pyetur për Ballukun, ajo tha se ndjen keqardhe për të pas është një viktimë e modelit të përqendrimit të pushtetit në një dorë.
Ajo deklaroi se socialistët janë tërësisht të përjashtuar nga ndarja e pushtetit, ndërsa ngriti pikëpyetjen se përse partia duhet të mbajë barrën e vendimeve në të cilat nuk ka qenë pjesëmarrëse.
“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Që ky pushtet I madh të vazhdojë të qëndrojë në këmbë Këtu nuk ka lidhje me emri, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë sepse ju mund të mendoni që unë e mendoj xhelat , por unë e mendoj viktimë, viktimë të këtij modeli që nuk pyet për procedura, nuk pyet për ligje, integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron pushtetin, derisa kemi ardhur në këtë pikë të mungesës totale të legjitimitetit- tha ajo.
Nuk heq dorë nga mandati
Në përfundim, Spiropali bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga jeta politike dhe as të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Ajo deklaroi se do ta vijojë betejën në Kuvend, brenda Partisë Socialiste dhe në publik, me synimin për të bashkuar socialistët që, sipas saj, nuk ndihen të përfaqësuar nga drejtimi aktual i partisë.
“Unë jam aty, ata që kanë probleme le të ikin. Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike.
Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. –tha ajo ndër të tjera.














