Partia izraelite ‘Yashar’, e drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, njoftoi të martën se kishte rënë dakord të nënshkruante një marrëveshje koalicioni me një parti të opozitës së djathtë, në përpjekje për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Yashar bëri të ditur se Eisenkot ishte takuar më herët të martën me Avigdor Liebermanin, kreun e partisë ‘Izraeli Shtëpia Jonë’, dhe se pas takimit të dy kishin arritur një marrëveshje. Ky është aleanca e parë e këtij lloji që prej zgjedhjeve.

Parlamenti i Izraelit u betua më 10 nëntor pa pasur ende një qeveri të re, pasi zgjedhjet e 27 tetorit i hoqën kryeministrit Benjamin Netanyahu shumicën parlamentare, por lanë edhe forcat e tjera politike pa një rrugë të qartë drejt pushtetit.

Aleanca e Likud-it të Netanyahut, me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, arriti rezultate më të mira se sa pritej në zgjedhje, por megjithatë humbi shumicën parlamentare. Aktualisht, ajo zotëron 53 nga 120 vendet në Knesset, parlamentin izraelit.

Partia e qendrës së djathtë Yashar e Eisenkotit dhe partnerët e saj të mundshëm të koalicionit, përfshirë Liebermanin, kanë gjithsej vetëm 48 vende. Megjithatë, ata mund të sigurojnë mbështetjen e partive që përfaqësojnë pakicën arabe në Izrael, të cilat zotërojnë 19 vende dhe ndajnë me Eisenkotin kundërshtimin e fortë ndaj Netanyahut.

Marrëveshja mes Eisenkotit, partia e të cilit fitoi 21 vende në parlament, dhe Liebermanit, partia e të cilit siguroi 7 vende, ishte disi e papritur. Kjo pasi Lieberman kishte shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tij ndaj formimit të një qeverie me mbështetjen e partive arabe, si dhe ndaj krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar me Netanyahun.

Lieberman megjithatë ka thënë se objektivi i tij kryesor është largimi i Netanyahut nga pushteti.

Ndërkohë, vijojnë bisedimet mes Eisenkotit, disa prej partnerëve të tij në bllokun e ndryshimit dhe partisë Likud për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë, në kuadër të mandatit 28-ditor që i është dhënë, por mund të kërkojë edhe një zgjatje prej 14 ditësh. Nëse dështon, mundësia për të formuar qeverinë do t'i kalojë Netanyahut. Nëse asnjë kandidat nuk arrin të krijojë një qeveri, vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhje të reja.