Kina ka reaguar ashpër ndaj vendimit të drejtësisë amerikane për shpalljen fajtore të gjigantit të telekomunikacionit Huawei, duke akuzuar Uashingtonin se po pengon aktivitetin e kompanive kineze dhe po vendos kufizime ndaj tyre. Një juri amerikane e shpalli Huawei-n fajtor për vjedhjen e sekreteve tregtare dhe mashtrimin e autoriteteve rregullatore lidhur me aktivitetet e kompanisë në Iran. Gjithashtu, kompania u shpall fajtore për mashtrim bankar dhe për mbështetjen e autoriteteve iraniane në përpjekjet për të kontrolluar dhe censuruar internetin.
Megjithatë, juria në Nju Jork nuk e shpalli kompaninë fajtore për akuzën më të rëndë të ngritur ndaj saj, atë të komplotit për vjedhjen e pronësisë intelektuale.
Vendimi shkaktoi reagimin e Pekinit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiaqun, deklaroi se qeveria e tij kundërshton me vendosmëri pengesat dhe kufizimet që SHBA vendos ndaj bizneseve kineze, duke shtuar se do t’i mbështesë kompanitë e vendit në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime.
Nga ana e saj, Huawei i ka cilësuar akuzat amerikane si të pabazuara, si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ajo faktike. Kompania bëri të ditur se po shqyrton vendimet e gjykatës dhe se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e saj.
Çështja ka shtuar tensionet në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat prej vitesh përballen me mosmarrëveshje për tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë kombëtare. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se Huawei dhe tri prej kompanive të lidhura me të kanë vepruar për vite me radhë në territorin amerikan përmes mashtrimit dhe vjedhjes. Ndërsa zëvendësprokurori i Përgjithshëm, A. Tyson Duva, tha se vendimi dërgon një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë kompanitë, punonjësit dhe sigurinë e tyre kombëtare nga aktivitetet e paligjshme të kompanive të huaja. Masa e dënimit financiar ndaj Huawei pritet të shpallet në shtator të vitit 2027.
