Në GJKKO u zhvillua seanca e radhës për çështjen “Partizani” me të pandehur kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe të tjerë. Në nisje të seancës gjykata vendosi caktimin e ekspertëve për të kryer aktin e ekspertimit për dëshmitarin Isa Tare nëse vuan nga ndonjë sëmundje që mund të ndikojë në dëshmi, dhe kur u mor në pyetje në vitin 2022 a vuante nga ndonjë sëmundje. Dëshmitari i parë ishte Rolando Llazari, i cili në periudhën 2002-2011 ka qenë i punësuar në strukturat administrative/pronësore të ministrisë së Mbrojtjes. I pyetur nga SPAK nëse Klubi Partizani ka qenë në planin e përhapjes, Llazari u shpreh se zyra e tij nuk ishte në dijeni pasi nuk ishte kompetencë e saj. Më tej SPAK kërkoi kundërshtim të pjesshëm të dëshmisë, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO, ndërsa Malltezi tha se prokuroria e ka gënjyer dëshmitarin sepse nuk i ka vënë në dispozicion planin e përhapjes.