KOSTT-i ka pranuar të gjitha konstatimet e paraqitura në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të vitit 2025 dhe ka hartuar plan veprimi për trajtimin e tyre, bëri të ditur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Trim Tërnava.
Raporti u diskutua në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku deputetët kërkuan që rekomandimet të zbatohen dhe mangësitë e evidentuara të adresohen.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar gjetjes A2 për trajtimin e pasaktë të provizioneve lidhur me proceset gjyqësore dhe korrigjimin e gabimeve, Tërnava përmendi si sfidë kontestet që lidhen me shpronësimet për linjën e interkoneksionit 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri. Rreth 92 kilometra të saj kalojnë në territorin e Kosovës, ndërsa procesi i shpronësimit zhvillohet përmes Ministrisë së Financave, e cila vendos përfundimisht për kompensimin e palëve.
Ai tha se disbursimi i parë i kredisë nisi këtë vit dhe se, në vijim, KOSTT-i do të zbatojë plotësisht interpretimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Sipas tij, çështja lidhet edhe me mënyrën e vlerësimit kontabël, por ndërmarrja pajtohet me gjetjen e auditorit.
Kryetari i komisionit, Besian Mustafa, kërkoi sqarime për kredinë nga KfW, duke pyetur nëse KOSTT-i e kishte paguar tarifën e komisionit të menaxhmentit para nisjes së punimeve, meqë kredia financohet nga tatimpaguesit e Kosovës.
Tërnava u përgjigj se tarifa paguhet brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kredisë. Ai shtoi se përzgjedhja e kompanisë konsulente zgjati tre vjet dhe u zhvillua sipas rregullave të prokurimit të KfW-së.
Mustafa ngriti gjithashtu shqetësime për 72 kontrata të lidhura gjatë vitit 2025 përmes procedurave me vlerë minimale, me një shumë të përgjithshme prej 54 mijë eurosh. Ai kërkoi të sqarohej nëse furnizimet e përsëritura dhe artikujt e ngjashëm ishin ndarë në kontrata të ndryshme për të shmangur ndonjë kufi ligjor të prokurimit.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Gëzim Tosuni, tha se edhe bordi kishte kërkuar shpjegime për këtë praktikë. Ai vuri në dukje se, në disa raste, ligji i prokurimit kufizon mundësinë për t’iu përgjigjur nevojave praktike të ndërmarrjes.
Tosuni theksoi se raporti i auditimit nuk kishte konstatuar keqpërdorime dhe se gjetjet mund të shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të punës së KOSTT-it.
Deputeti i LVV-së, Jeton Raka, kundërshtoi argumentin se kufizimet e ligjit e shpjegojnë situatën. Ai tha se, pavarësisht nevojës së mundshme për ndryshime ligjore, rekomandimet e auditorit duhet të zbatohen dhe gjetjet në fushën e prokurimit të eliminohen. Raka shtoi se planifikimi për të gjithë vitin bëhet që në fillim të tij.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, vlerësoi se pjesa më e madhe e konstatimeve të auditorit janë përsëritje të gjetjeve të mëparshme. Sipas tij, kjo tregon se nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të penguar përsëritjen e tyre.






