Më shumë se 7 vite pas eliminimit mafioz të ish-policit Santiago Malko, mik i afërt i të zhdukurit Ervis Martinaj, ka një vendim të formës së prerë, tashmë për të gjithë të përfshirët në një nga vrasjet më të bujshme në kryeqytet.

Gjykata e Posaçme e Apelit dha 155 vite burg gjithsej për 6 të pandehurit e mbetur, mes tyre shpalljen fajtor edhe për Erlis Dukën, me një dënim prej 28 vitesh heqje lirie.  

Vëllai i Leonard Dukës, kreut të klanit ‘Duka’, ish-ortak e më pas hasëm i Ervis Martinajt, ishte shpallur i pafajshëm nga shkalla e parë. Tashmë të dy vëllezërit do të duhet të vuajnë së bashku 58 vite burg, pasi Apeli konfirmoi edhe dënimin me 30 vite për Leonardin, si organizator dhe porositës i vrasjes gjakftohtë.

Në shkallën e dytë të GJKKO u konfirmuan gjithashtu vendimet edhe për Fatmir Hysenin, Aleksandër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltion Lonën, pjesë e grupit të vrasjes, me nga 25 vjet burg për secilin.

Për të njëjtën ngjarje, më herët janë dënuar me vendim të prerë edhe 2 të tjerë, në dosje të ndarë për shkak të arrestimit të hershëm. Blendi Teta përfundimisht do të vuajë 25 vite burg, pas një ping-pongu vendimesh në disa gjykata. Po ashtu, i dënuar me vendim të formës së prerë me 28-vjet për vrasjen e Santiago Malkos, është edhe Ilir Selmani. Pra ekzekutimi i Santiago Malkos do t’i kushtojë gjithsej 211 vite burg të gjithë pjesëmarrësve.

Santiago Malko u qëllua për vdekje në Tiranë më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko”. Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi viktima konsiderohej i afërt me Ervis Martinajn, një prej figurave më njohur të skenës së krimit të organizuar dhe bos i lojërave të fatit në atë kohë. Hetimet e policisë dhe SPAK e lidhën shpejt vrasjen me një grup të strukturuar kriminal që drejtohej nga Leonard Duka. Dyshimet janë se eliminimi i Malkos u bë prej përplasjeve që Duka-Martinaj kishin në atë kohë. Ngjarja u zbardh e plotë prej komunikimeve në aplikacionin “SkyEcc”.

Dënimet  për vrasjen e Malkos
Leonard Duka              30 vite burg
Erlis Duka                    28 vite burg
Fatmir Hyseni              25 vite burg
Aleksandër Maxhaku  25 vite burg
Dritan Aga                   25 vite burg
Oltian Loga                  25 vite burg
Të dënuar më herët
Ilir Selmani                  28 vite burg
Blendi Teta                  25 vite burg