Ish-sulmuesi i kombëtares angleze, Raheem Sterling, është dënuar me burgim me kusht pas një përplasje me Lamborghinin e tij. 31-vjeçari nga Berkshire u dënua në Gjykatën e Magjistraturës në Basingstoke me 12 muaj burg, të pezulluar për 18 muaj, për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe mbajtje të oksidit të azotit, lidhur me ngjarjen e 28 majit. Në dhënien e vendimit ai nuk reagoi.
Në shtator Sterling pranoi fajësinë për drejtimin në mënyrë të rrezikshme të një Lamborghini Urus në autostradat M25 dhe M3, si dhe në rrugët A327 dhe Minley Road. Ai pranoi gjithashtu se kishte në posedim gjashtë bombola me oksid azoti, një substancë narkotike e klasit C, me qëllim thithjen e paligjshme të saj, dhe se kishte refuzuar të jepte një mostër për analiza. Sterling u urdhërua të kryejë 100 orë punë në shërbim të komunitetit pa pagesë dhe iu hoq e drejta për të drejtuar automjetin për 24 muaj. Ai u arrestua pasi u përplas me makinën pranë autostradës M3, në kontenë e Hampshire.
Lidhur me karrierën e tij, Sterling ka qenë së fundmi aktiv në Eredivisie me skuadrën e Feyenoordit pas largimit nga Chelsea në muajin janar, por në Holandë ka zhvilluar vetëm tetë ndeshje. Gjatë katër viteve të tij te Chelsea, ku përfshihet edhe viti i huazimit te Arsenal, ai ka luajtur 59 ndeshje të kampionatit që pas transferimit të tij nga Manchester City në 2022. Me Manchester City ai fitoi katër tituj të Premier League. Karrierën profesionale e nisi tek Liverpool para transferimit në Manchester në 2015.
Aktualisht Raheem Sterling nuk ka skuadër.

