Vendosni fjalën kyçe....

“S’ka paqe me narkodiktaturën, Rama rrezik ekzistencial për vendin” – Berisha


Kreu i PD-së Berisha, tha sot se opozita nuk duhet të tërhiqet nga protestat kundër narkoqeverisë Rama, pasi ka detyrim madhor ndaj qytetarëve.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha kërkoi mobilizim total të drejtuesve dhe deputetëve demokratë, ndërsa theksoi se nuk mund të ketë paqe me atë që e cilësoi si diktaturë.

“Nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën. PD duhet ta ketë të qartë se, në kodin e saj të mbrojtjes së interesit të shqiptarëve, protesta mbetet, krahas vizionit dhe organizimit, një detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë. Protestat janë të lodhshme, protestat kërkojnë sakrifica, por në narkodiktaturë, në një vend ku për regjimin nuk ekzistojnë ligje dhe Kushtetutë, opozita duhet të jetë në këmbë dhe në protestë”, u shpreh Berisha.

Ai paralajmëroi se PD-ja do organizojë protesta më të fuqishme kundër qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Rama se përdor dhjetëra e qindra miliona për të shuar zërin e opozitës. Berisha e cilësoi Edi Ramën si një rrezik për ekzistencën kombëtare, duke theksuar se opozita nuk mund të kthehet në dekor të qeverisë, por duhet të vijojë përballjen me të.

“Është suksesi i pamohueshëm i protestës që filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që vazhdon edhe sot kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij. Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do të reagojmë në mënyrë të pandryshueshme, me protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra e qindra miliona për të shuar zërin tonë, për të shuar zërin e popullit opozitar. Rama është një rrezik real për ekzistencën kombëtare dhe të kombit, por nëse ne nuk jemi në mënyrë të vazhdueshme dhëmbë për dhëmbë me të, dhe kjo nënkupton edhe protestën, ne nuk vlejmë. Nuk i duhemi gjë. Absolutisht nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të pamposhtur kundër tij”, u shpreh ai.