Rëndohet fatura e “Tigrave” të Vlorës, KESH tender 1.86 milionë euro për sigurimin
Fatura financiare për dy termocentralet lundruese në Triport të Vlorës vazhdon të rëndohet. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka hapur garën për sigurimin 1-vjeçar të dy anijeve gjeneruese, të njohura si “Tigri I” dhe “Tigri III”, duke vënë në dispozicion një fond limit prej 166.47 milionë lekësh ose rreth 1.86 milionë euro.
Ky tender i shtohet zinxhirit të gjatë të shpenzimeve miliona eurosh të paguara ndër vite për qiranë, ankorimin, karburantin, sigurimet e mëparshme dhe procedurat e operimit e mirëmbajtjes së dy anijeve.
Pavarësisht kostove të larta të akumuluara nga buxheti i korporatës publike — që në debatin publik dhe raportimet e deritanishme janë vlerësuar në dhjetëra milionë euro — prodhimi i energjisë nga këto njësi ka mbetur minimal dhe me kosto dukshëm më të lartë sesa çmimet në bursë, duke e kthyer projektin e Vlorës në një barrë të vazhdueshme financiare.
Sipas njoftimit të tenderit, gara është hapur më 25 nëntor dhe kompanitë e interesuara kanë afat deri më 28 dhjetor për të dorëzuar ofertat e tyre.
Çfarë do të mbulojë kontrata 1.86 milionë euro?
Përmes kësaj kontrate 12-mujore, KESH synon t’i mbrojë të dyja asetet lundruese dhe infrastrukturën mbështetëse në tokë nga rreziqet natyrore, avaritë teknike, zjarri, ndotja mjedisore dhe dëmet ndaj palëve të treta.
Konkretisht, sigurimi për dy maunet gjeneruese, 19 motorët e tyre dhe pajisjet e ankorimit është llogaritur me një vlerë minimale prej 15.55 milionë eurosh, ndërsa infrastruktura fikse në breg — që përfshin kalatën, sistemin e ujit ftohës, linjën e tensionit të lartë dhe transformatorët — do të mbulohet me një vlerë minimale prej 10.48 milionë eurosh.
Përveç vlerës fizike të pajisjeve, policat e sigurimit parashikojnë edhe kufij të lartë dëmshpërblimi për përgjegjësitë e mundshme në det dhe në tokë. Për operimet në ujë kërkohet një mbulim deri në 50 milionë dollarë për çdo ngjarje që lidhet me mbytjen e anijeve, heqjen e mbetjeve, përplasjet apo ndotjen aksidentale.
Një tjetër kufi prej 50 milionë dollarësh është parashikuar për përgjegjësinë tregtare në tokë, përfshirë dëmet e mundshme në rrjetin kombëtar të transmetimit (OST/OSHEE) apo ndaj të tretëve, shoqëruar me 5 milionë dollarë shtesë për mbulimin e ndotjes mjedisore nga instalimet bregdetare./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



