Lukashenko fton Zelenskyn të udhëtojnë së bashku në Moskë: Do të garantoj sigurinë e tij
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka propozuar që të udhëtojë së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, drejt Moskës për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Propozimi u bë në një intervistë për median franceze “Le Point”, të publikuar të martën. Lukashenko, aleat i ngushtë i Putinit, deklaroi se është i gatshëm të shoqërojë Zelenskyn në Moskë, duke u paraqitur si garant i sigurisë së tij gjatë udhëtimit.
“Volodymyr Zelensky dhe unë mund të fluturojmë thjesht drejt Moskës. Të dy bashkë. Si garantues i sigurisë së tij, mund të ulesha me të dhe të fluturonim drejt Moskës”, u shpreh Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore bjelloruse Belta.
I pyetur për mundësinë që presidenti ukrainas të mos e pranonte propozimin, Lukashenko u përgjigj me tone të ashpra, duke deklaruar se në atë rast lufta do të vazhdonte dhe Zelensky duhej të shkonte në front.
Kreu i Bjellorusisë pretendoi gjithashtu se Rusia po fiton luftën në terren, ndonëse përparimi i forcave ruse është i ngadaltë.
“Presidenti Putin vazhdon të fitojë në front. Sido që të jetë, është ai që po fiton”, deklaroi Lukashenko.
Ndërkohë, Vladimir Putin ka propozuar edhe më herët që Zelensky të udhëtojë në Moskë për negociata, por presidenti ukrainas e ka refuzuar këtë mundësi, duke sugjeruar që takimi të zhvillohet në vende të tjera, më neutrale.
Lukashenko përshëndeti gjithashtu rifillimin e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, duke shprehur mbështetjen për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në raundet e ardhshme të negociatave.
Megjithatë, ai theksoi se Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia duhet të përcaktojnë vetë mënyrën e zgjidhjes së konfliktit.
Lukashenko është kritikuar prej vitesh nga vendet perëndimore për shkelje të të drejtave të njeriut. Ai gjithashtu është përballur me akuza për rolin e Bjellorusisë në agresionin rus ndaj Ukrainës, pasi lejoi përdorimin e territorit bjellorus nga forcat ruse gjatë nisjes së pushtimit në shkurt të vitit 2022.




