Vendosni fjalën kyçe....

“Përjashtimi im nul, Rama të ndryshojë modelin ose të ikë. Betejën e bëj në PS”- Mesazhet e Spiropalit


Ashtu siç njoftoi ditën e djeshme, deputetja Elisa Spiropali, u shfaq në konferencë për shtyp në mjediset e Kuvendit në orën 11:00. Që në krye të herës, ajo hodhi poshtë me forcë përjashtimin nga PS-ja dhe grupi parlamentar i saj nga kryeministri Rama duke e quajtur vendimin e këtij të fundit “nul” dhe jolegjitim e në shkelje të statutit.

Ish-ministrja tha se do e bëjë betejën brenda PS-së ndërsa theksoi se nuk do heqë dorë nga mandati.

“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin”, tha Spiropali teksa shtoi se nuk iu dha mundësia të dëgjohej, duke e krahasuar mënyrën si u mor vendimi me praktikat e mbledhjeve të mbyllura të kohës së Koçi Xoxes dhe Kadri Hazbiut.

Spiropali shtoi më tej se 40 deputetë nuk votuan për përjashtimin e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së dhe la të kuptohej se do përpiqet të hyjë në mbledhjen e radhës. Deputetja theksoi se nga PS-ja dhe Kuvendi duhet të ikin ata që i kanë bërë dëm Shqipërisë duke nënkuptuar kryeministrin Rama.

“Do e bëj betejën time aty sepse duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata, vendimmarrja e të cilëve ka ndikuar në jetën e njerëzve, që kanë abuzuar me pushtetin, që tregojnë arrogancë, që sot deputetët e PS kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin sa i kërkon përballjes publike. Unë s’kam mbyllur asnjë derë. Ata që duan të mbyllin derën me forcë, ndoshta do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje e policë”, shtoi ajo.

Më tej në konferencën për shtyp, Spiropali sfidoi kreun e PS-së Rama teksa i kërkoi të largohet nëse nuk është i aftë të ndryshojë modelin e qeverisjes ndërsa la të hapur mundësinë e konkurrimit për kreun e partisë.

“Është domdosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, ose të ikë. Ose ta bëjë këtë punë, si burrë, si udhëheqës, si lider e të mbajë përgjegjësi ose të lëvize nga ai pozicion, të mos mbrojë të pambrojtshmit. Nuk bëhet kjo as me propagandë, as me pasqyra, as duke normalizuar abuzimin, dhunën arrogancën. Unë do luftoj në kuvend dhe në PS, dhe në çdo organizatë dhe kudo në publik për të bashkuar ata njerëz që sot ndihen të pa përfaqësuar në PS. Kjo është punë e qeverisjes së vendit dhe përgjegjësisë që ne duhet të kemi për vendin, pavarësisht raportit personal dhe vijoj ta them se unë nuk hedh poshtë, as veten time, as Ramën, as atë që kemi bërë për Shqipërinë, po i them të ngrihet në lartësinë e kohës, jo të bjerë në të tilla situata që vetëm ia bjerrin autoritetin dhe ia pamundësojnë qeverisjen. Sot menaxhohet vetëm pushtetin. Sa më shpejt ta kuptojmë që duhet të heqim dorë nga mitet dhe ti kthemi përgjegjësisë së njerëzve. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm?”, vijoi Spiropali.

“Nuk e di a më do a s’më do Edi Rama, unë di vullnetin tim, di që më duan socialsitët sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër, beteja shumë të vështira. Jam e majtë, socialiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Statuti nuk është Bibël, as Kuran. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e PS, flasin sot për të? Statuti është rregulla të përbashkëta. U respektua lidhur me mua a të tjerë? Këta njerëz pse janë larguar nga PS kur janë të dinjitetshëm, pa asnjë arsye?

 Unë jam aty, ata që kanë probleme le të ikin. Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. A mundet të hapet gara në PS dhe të garohet me platforma? A ka bërë Edi Rama shumë për këtë proces? Patjetër që ka bërë!” – nënvizoi ajo.

Lidhur me çeljen e çështjes në SPAK ndaj bashkëshortit të saj dhe disa personave të tjerë ajo tha se janë shantazh nga persona anonimë që dihet se kush janë ndërsa u shpreh krejt e pashqetësuar duke qenë se nuk ka asgjë për të fshehur.

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh. Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi”, tha ajo.