Samsung sjell veçori të reja shëndetësore në serinë Galaxy Watch8 me përditësimin One UI 9 Watch

Samsung ka njoftuar se ka nisur shpërndarjen e përditësimit One UI 9 Watch për serinë Galaxy Watch8. Përditësimi i ri sjell funksione të avancuara për monitorimin e shëndetit, veçori të tjera praktike dhe mundësi të reja personalizimi.
Sistemi operativ One UI 9 Watch debutoi fillimisht në serinë e këtij viti Galaxy Watch9 dhe në modelin Galaxy Watch Ultra2, duke prezantuar disa risi në monitorimin e shëndetit. Tashmë, këto veçori janë të disponueshme edhe për përdoruesit e Galaxy Watch8.
Ndër risitë kryesore janë Vitals, Heart Health, Daily Cardio Load, Fitness Index dhe monitorimi më i avancuar i apnesë së gjumit. Gjithashtu, aplikacioni Samsung Health ofron tashmë funksionin Sleep Coaching, i cili ndihmon përdoruesit të përmirësojnë cilësinë e gjumit, bazuar në të dhënat e mbledhura nga ora inteligjente.
Monitorimi i apnesë së gjumit kryhet përmes aplikacionit Samsung Health Monitor dhe funksionon vetëm kur ora është e lidhur me një pajisje Samsung, transmeton Telegrafi.

Funksioni Vitals analizon disa tregues shëndetësorë, përfshirë rrahjet e zemrës, ndryshueshmërinë e ritmit të saj (HRV), frekuencën e frymëmarrjes, temperaturën e lëkurës dhe nivelin e oksigjenit në gjak. Ora i mat këta tregues gjatë gjumit, përcakton vlerat bazë dhe më pas sinjalizon përdoruesin kur vëren devijime të rëndësishme nga to.
Ndërkaq, Heart Health analizon të dhënat e gjumit dhe aktivitetit fizik, duke krijuar një vlerësim të përgjithshëm se si rutina e përditshme ndikon në shëndetin e zemrës.
Funksioni Daily Cardio Load ofron të dhëna për rikuperimin pas ushtrimeve fizike. Ai sugjeron një nivel të përshtatshëm të ngarkesës fizike, si dhe këshilla për përmirësimin e procesit të rikuperimit.
Në anën tjetër, Fitness Index përmbledh të dhënat nga aktivitetet fizike të përdoruesit dhe krijon një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes së tij fizike.

Përditësimi One UI 9 Watch sjell edhe disa veçori të tjera. Njëra prej tyre është Portrait Watch Face, e cila identifikon personat në fotografi dhe përshtat pozicionin e orës dhe sfondin rreth tyre.
Edhe aplikacioni Compass është përmirësuar, duke u mundësuar përdoruesve të orientohen drejt lokacioneve të ruajtura paraprakisht. Ndërsa funksioni Track Back ndihmon në ndjekjen e së njëjtës rrugë për t'u kthyer në pikën e nisjes.
Samsung ka nisur tashmë shpërndarjen e përditësimit, por ai mund të mos jetë menjëherë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e serisë Galaxy Watch8. /Telegrafi/

































