Zyrtare, Jurgen Uldedaj rikthehet në ring më 18 dhjetor, mbron titullin botëror në Tiranë

Zyrtare, Jurgen Uldedaj rikthehet në ring më 18 dhjetor, mbron titullin botëror në Tiranë

14:36, 25/11/2026

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka tashmë një datë për rikthimin në ring. Pas dëmtimit që e detyroi të shtynte duelin e planifikuar në tetor, kampioni kuqezi do të përballet më 18 dhjetor me australianin Blake Caparello, në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë.

Në këtë përballje, Uldedaj do të mbrojë titullin kampion bote në peshën cruiserweight, versioni IBO. Sfida ishte parashikuar fillimisht të zhvillohej më 23 tetor, por dëmtimi i boksierit shqiptar dhe protestat e zhvilluara në kryeqytet në atë periudhë bënë të pamundur organizimin e saj.

Vetë Uldedaj e konfirmoi rikthimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se objektivi i tij mbetet i pandryshuar.

“Më 18 dhjetor rikthehem në ring për të mbrojtur titullin tim të kampionit të botës IBO në peshën cruiserweight, përballë Blake Caparellos. Asgjë nuk ka ndryshuar. I njëjti objektiv, i njëjti përkushtim dhe e njëjta dëshirë për të fituar”, shkruan boksieri shqiptar.

Uldedaj ka regjistruar deri tani 22 fitore dhe vetëm një humbje në karrierën e tij profesioniste. Përballë do të ketë një kundërshtar me përvojë të konsiderueshme. 40-vjeçari Caparello numëron 30 fitore, tri humbje dhe një barazim, ndërsa në të kaluarën ka mbajtur edhe titullin IBO në kategorinë light heavyweight.

Boksieri shqiptar e fitoi titullin botëror më 25 tetor 2025 dhe e mbrojti për herë të parë në maj të këtij viti. Dueli i 18 dhjetorit do të jetë mbrojtja e dytë e brezit kampion për Uldedajn, i cili synon të vijojë dominimin në këtë kategori përpara publikut shqiptar.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco