Bardhi: Grupi Parlamentar i PD ka propozuar 28 amendamente në buxhetin dhe paketën fiskale

14:37, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka prezantuar 28 amendamentet që deputetët e PD kanë depozituar në Kuvend, në kuadër të buxhetit dhe Paketës Fiskale.

Nga mbledha e Grupit Parlamentar të PD, kreu i grupit, Gazmend Bardhi bëri publike të 28 amendamentet e depozituara në Kuvend, ku ndër të tjera vihet theksi te minimumi jetik prej 20 mijë lekë, rritjen e pagave në administratën publike, uljen e TVSH për energjinë dhe ujin, pezullimin e pagesave për incineratorin e Tiranës, fond të posaçëm për mësuesit e arsimit parauniversitar etj.

Sipas Bardhit, amendamentet synojnë shndërrojnë buxhetin e shtetit nga buxhet për financimin e korrupsionit tek buxheti për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së për buxhetin dhe paketën fiskale përfshijnë:

1. Vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.

2. Rritjen me 30–50% të pagave për të gjithë administratën publike.

3. Uljen në 6% të TVSH-së për ujin.

4. Uljen në 6% të TVSH-së për energjinë.

5. Pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës.

6. Dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

7. Trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë.

8. Shkurtimin me 20% të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.

9. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e shëndetësisë.

10. Realizimin e dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.

11. Alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve, si pasojë e zhvlerësimit të euros.

12. Alokimin e 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.

13. Rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar.

14. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.

15. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.

16. Rritjen e pensioneve dhe vendosjen e një bonusi që garanton rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.

17. Dyfishimin e ndihmës ekonomike.

18. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.

19. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e arsimit.

20. Dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave.

21. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin.

22. Anulimin e rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.

23. Trefishimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.

24. Pezullimin e pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.

25. Anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve.

26. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për shëndetësinë.

27. Vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës mbi dividendin.

28. Ndërprerjen e plotë të financimit të koncesionit të laboratorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco