Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar 28 amendamente për projektbuxhetin dhe paketën fiskale, duke propozuar ndryshime të theksuara në shpenzimet sociale, pagat, taksat dhe kontratat me sektorin privat. Opozita thotë se propozimet synojnë orientimin e parave publike drejt përmirësimit të shërbimeve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Mes kërkesave kryesore është vendosja e minimumit jetik 20,000 lekë në muaj, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Demokratët propozojnë rritje pagash prej 30–50% për administratën publike, rritje prej 30% për pagat në arsim dhe shëndetësi, si dhe dhënien e pagës së 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar. Për pensionistët kërkohet rritje e pensioneve dhe vendosje e një bonusi që garanton rritje reale dhe të përhershme. Përcaktohet gjithashtu dyfishim i fondit për rimbursimin e barnave.
Në pjesën fiskale, PD propozon uljen e TVSH-së në 6% për ujin dhe për energjinë elektrike, ruajtjen e normës së përgjithshme të TVSH-së në 20% dhe anulimin e planit për ta rritur në 21%. Opozita propozon vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve dhe të asaj mbi dividendin.
Amendamentet synojnë gjithashtu pezullimin e kontratave të partneritetit publik-privat që financohen nga buxheti i shtetit, përfshirë pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe ndërprerjen e financimit të koncesionit të laboratorëve. Parashikohet shkurtim 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
Shtesat përfshijnë trefishimin e subvencioneve për bujqësinë, trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë, alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve nga zhvlerësimi i euros dhe 5 miliardë lekëve për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë. Për pasojat e përmbytjeve kërkohen nga 1 miliard lekë për Shkodër dhe Lezhë. PD propozon gjithashtu rritje me 50% të transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, financimin e kërkimit shkencor në 0.1% të PBB-së dhe realizimin e dy projekteve infrastrukturore në qarkun e Beratit.
