Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“NËNTORI KUQ E ZI”, KONCERT FESTIV NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Nëntori Kuq e Zi” është koncerti festiv që do të mbahet më 26 nëntor në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Në këtë mbrëmje do të bashkohen disiplinat artistike të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, përmes muzikës, këngës, valles dhe performancave artistike, në një program kushtuar festave kombëtare. Koncerti do të jetë i hapur për publikun dhe hyrja do të jetë e lirë.

2.HAPET “MIA MUSEUM” PËR JETËN E PËRDITSHME NË TIRANË

MiA Museum do të hapë dyert më 26 nëntor në katin e parë të Pallatit me Kuba në Tiranë, në ndërtesën e projektuar nga arkitekti Max Velo. Muzeu sjell historinë e jetës së përditshme në Shqipëri përmes objekteve që njerëzit kanë prodhuar, përdorur dhe ruajtur ndër vite. Koleksioni përshkon dy periudha të rëndësishme të historisë shqiptare, vitet 1870–1944 dhe 1945–1991. Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët nga 26 deri më 29 nëntor, ndërsa në ditën e inaugurimit hyrja do të jetë e lirë.

3.“QAZIM MULLETI, AI I VËRTETI”, SHFAQET DOKUMENTARI NË TIRANË

“Qazim Mulletti, ai i vërteti” është dokumentari që do të shfaqet premierë më 26 nëntor, në orën 17:00, në kinemanë “Millennium” në Tiranë. Filmi, me skenar dhe regji nga Ylli Pepo, vjen në kuadër të aktiviteteve kushtuar 114-vjetorit të Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Tiranë, duke sjellë në vëmendje figurën historike të Qazim Mulletit.

4.“PALIMPSEST”, KONCERT NË TEATRIN E OPERËS DHE BALETIT

“Palimpsest” është koncerti që do të vijë sot në orën 19:00 në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti është një udhëtim në trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50, përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore nga kompozitorët Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja. Në skenë do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj, bariton dhe Maida Resulbegoviç, soprano, ndërsa e ftuar speciale është pianistja Norena Gaxha.

5.FESTIVALI FOLKLORIK I RAPSODËVE E INSTRUMENTISTËVE NË LEZHË

Lezha do të mirëpresë edicionin XIV të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë sot dhe nesër në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri”. Festivali mbahet në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare.

6. “TË ZËSH VEND”, EKSPOZITË NË QENDRËN KULTURORE “TULLA”

“Të zësh vend” është ekspozita e artistëve Ardit Alimemeti, Llazar Dhimitri, Anisa Paturi dhe Senad Xhexhovi, nën kurimin e Pediona Dautajt, që do të çelet sot në orën 19:00, në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë.

7. “RI-INTERPRETIM”/ MIGEN QIRAXHI, EKSPOZITË NË GALERINË KALO

“Ri-interpretim” është ekspozita e artistit Migen Qiraxhi, që do të çelet sot deri më 29 nëntor në Galerinë Kalo në Tiranë.