Kushtet e përkeqësuara atmosferike pritet të sjellin probleme në qarkullimin detar në zonën e Vlorës.
Për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta, do të pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit jashtë Gjirit të Vlorës.
Sipas parashikimeve, moti pritet të përkeqësohet gjatë orëve të pasdites së kësaj të mërkure, me erë nga drejtimi jug-juglindje, me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 metra në sekondë. Ndërkohë, dallgëzimi në det parashikohet të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Për shkak të këtyre kushteve, mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit nuk do të lejohen të dalin jashtë Gjirit të Vlorës deri në orën 20:00 të së enjtes, më 26 nëntor.
Ndërkohë, subjektet që operojnë në sektorin detar janë njoftuar të marrin masa për sigurimin e mjeteve lundruese në port, si dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve për përballimin e situatës.
Ndryshe nga mjetet e vogla dhe ato të peshkimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë lundrimin normalisht drejt destinacioneve të tyre.












