Pesë destinacione malore në Evropë që ofrojnë pushime dimërore më të lira se Zvicra

Pushimet dimërore në Zvicër njihen për bukuritë e tyre natyrore, resortet e skijimit dhe peizazhet malore, por ato mund të kushtojnë mjaft shtrenjtë. Për ata që dëshirojnë të shijojnë pushimet në male pa shpenzuar shumë, ekzistojnë disa destinacione evropiane që ofrojnë alternativa më ekonomike.
Sipas një artikulli të publikuar nga mediumi zviceran Watson, duke iu referuar blogut të udhëtimeve “Travel Off Path”, pesë destinacione në Evropë mund të jenë alternativa interesante për pushimet dimërore.
Njëri prej tyre është Litochoro në Greqi, një fshat i vendosur rrëzë malit Olimp, më i larti në vend. Me shtëpitë tradicionale prej guri, rrugicat piktoreske dhe tavernat karakteristike, ky vend ofron një atmosferë të veçantë edhe gjatë dimrit. Afërsia me Parkun Kombëtar të Olimpit dhe grykën e Enipeasit e bëjnë atë tërheqës për adhuruesit e natyrës dhe shëtitjeve malore.

Një tjetër destinacion është Bledi në Slloveni, i përshkruar si një prej qyteteve më piktoreske të vendit. I vendosur pranë një liqeni alpin, me një kështjellë mesjetare dhe një kishë historike në një ishull të vogël, Bledi ofron pamje mbresëlënëse gjatë muajve të dimrit. Sipas blogut të udhëtimeve, ai të kujton Interlakenin e Zvicrës, por me çmime më të përballueshme, transmeton Telegrafi.

Në listë përfshihet edhe Zabljaku në Mal të Zi, një prej qyteteve më të larta në Ballkan, i cili konsiderohet si porta hyrëse drejt Parkut Kombëtar të Durmitorit. Liqeni i Zi, i arritshëm përmes një shëtitjeje rreth 30-minutëshe nga qyteti, është ndër atraksionet kryesore të zonës dhe ofron mundësi për shëtitje në natyrë mes maleve dhe pyjeve të mbuluara me borë.

Destinacioni i katërt është Mavrova në Maqedoninë e Veriut, ku gjendet parku kombëtar me të njëjtin emër. Zona është e njohur për liqenin e Mavrovës, ajrin e pastër malor dhe mundësitë për sporte dimërore. Ajo është veçanërisht e përshtatshme për ata që dëshirojnë të kombinojnë shëtitjet në natyrë me ditët e skijimit, transmeton Telegrafi.

Ndërsa për ata që preferojnë relaksimin dhe trajtimet termale në vend të skijimit, alternativë është Sapareva Banya në Bullgari. Ky vendpushim është i njohur për burimet e nxehta minerale dhe një gejzer që u shfaq në vitin 1957. I vendosur në rrëzë të malit Rila, ai ofron gjithashtu afërsi me qendrën e skijimit Panichishte.

Sipas Watson, këto pesë destinacione paraqesin alternativa për ata që dëshirojnë të shijojnë bukuritë malore dhe atmosferën dimërore të Evropës, pa përballuar domosdoshmërisht kostot e larta të pushimeve në Zvicër./Telegrafi/

































