Starbucks përgatitet të shesë biznesin në Japoni, me vlerë rreth 3 miliardë dollarë
Starbucks Corp. ka angazhuar këshilltarë financiarë për të përgatitur shitjen e mundshme të biznesit në Japoni, në një transaksion që mund të arrijë vlerën e disa miliardë dollarëve. Zinxhiri amerikan i kafeneve po bashkëpunon me bankat e investimeve Citigroup dhe Morgan Stanley dhe ka nisur kontaktet paraprake me investitorë strategjikë dhe financiarë, raportoi Bloomberg, duke iu referuar personave në dijeni të diskutimeve.
Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se Starbucks vlerëson vazhdimisht strukturën më të përshtatshme të biznesit për t’u shërbyer klientëve dhe për të krijuar vlerë për aksionerët. Ai shtoi se kompania ka një aktivitet të konsoliduar në Japoni, ku operon prej më shumë se 30 vitesh.Citigroup dhe Morgan Stanley nuk pranuan të komentojnë.
Starbucks nuk publikon veçmas të ardhurat e aktivitetit në Japoni. Megjithatë, Japonia, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar gjeneruan së bashku rreth 72% të të ardhurave neto të kompanisë jashtë SHBA-së dhe Kinës gjatë vitit financiar 2026. Shitja e mundshme e biznesit japonez vjen pas ndryshimeve në strukturën e pronësisë së aktivitetit të Starbucks në Kinë.
Në nëntor të vitit 2025, kompania njoftoi marrëveshjen me fondin e investimeve Boyu Capital për shitjen e një pjese kontrolluese të biznesit kinez, në një transaksion që e vlerësonte aktivitetin në 4 miliardë dollarë. Transaksioni përfundoi gjatë tremujorit të tretë të vitit financiar 2026. Boyu Capital mori 60% të aksioneve, ndërsa Starbucks ruajti pjesëmarrjen prej 40%, si dhe pronësinë mbi markën dhe të drejtat e licencimit. Për biznesin në Japoni nuk është përcaktuar ende struktura përfundimtare e një marrëveshjeje të mundshme, përfshirë përqindjen e aksioneve që Starbucks mund të mbajë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









