Tirana është kthyer për dy ditë në një pikë takimi mes kapitalit europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve europiane e financiare ndërkombëtare u mblodhën në Pallatin e Kongreseve në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.
Me synimin që rajoni të kthehet në një destinacion konkret dhe konkurrues për investime, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në fjalën hapëse propozoi një projekt rajonal për investime plotësuese me vlerësim teknik nga Komisioni Europian. Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kërkimin shkencor dhe kapacitetet prodhuese të vendeve të rajonit me nevojat e industrisë europiane.
“Faza e ardhshme e zhvillimit të Shqipërisë do të formësohet nga kapacitetet prodhuese që ndërtojmë, teknologjitë që përvetësojmë dhe njohuritë që arrijmë të ruajmë e zhvillojmë brenda ekonomisë sonë. Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara”, tha Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Përfaqësuesit europianë vlerësuan integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët si një mundësi për të lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe për të rritur interesin e investitorëve. Ndërsa presidenti i Dialogut Global të Berlinit nënvizoi se potenciali ekonomik duhet të shoqërohet me projekte konkrete që bindin kapitalin privat.
“Integrimi gradual është avash-avash, por jo dhe shumë avash. Do të bëhet hap pas hapi, sektor pas sektori. Ka një ndryshim të rëndësishëm, nuk ka të bëjë me relaksimin, por ka të bëjë me hedhjen e hapave. Instrumentet tuaja t’i shikojmë si një rrugëtim për investimet. Është një mënyrë e mirë për të bërë biznes me Europën dhe biznes në Europë”, u shpreh Kerstin Jorna, drejtore “DG Grow” ke.
“Mendoj që është një konferencë për ekonominë, investitorët. Investimet private janë të rëndësishme për të ardhmen europiane. Për projektet paratë mund t’i çojmë kudo dhe duhet t’i bindni investitorët. Duhet të kemi dhe projekte konkrete dhe investime. Për Ballkanin Perëndimor situata ekonomike e përgjithshme është për t’u vlerësuar. Hyrja në BE, nëse bëheni pjesë, është një narrativë e madhe”, tha Lars Hendrik Roller, president i dialogut global të Berlinit.
Në fokus të dy ditëve janë perspektiva makroekonomike e rajonit, sipërmarrjet inovative, teknologjitë e pastra, kapitali njerëzor dhe konkurrueshmëria industriale.
Konferenca vijon edhe ditën e enjte me diskutime për kapitalin njerëzor dhe politikat industriale, ndërsa në përmbyllje pritet të mbajnë fjalën kryeministri Edi Rama dhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Top Channel