Rey Manaj nuk është më futbollist i Sivassporit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vendosur t'i japë fund aventurës së tij në Turqi, pas një konflikti financiar me klubin, i cili nuk kishte përmbushur detyrimet ekonomike ndaj tij. Mediat turke kanë shkruar sëfundmi se kontrata e tij me Sivasspor-in nuk ekziston më as në federatën turke të futbollit.
Lajmi ka marrë zhvillim të rëndësishëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa mediat turke kanë raportuar për largimin e futbollistit nga qyteti i Sivasit dhe më pas për zyrtarizimin e ndërprerjes së kontratës.
Sipas raportimeve të mediave turke, Manaj kishte pritur për një kohë të gjatë shlyerjen e detyrimeve financiare. Ai i kishte dhënë disa mundësi drejtuesve të klubit për të zgjidhur situatën, madje edhe afate prej 15 ditësh, por pagesat nuk u kryen dhe premtimet nuk u mbajtën.
Vetë futbollisti e bëri publik vendimin përmes një deklarate në rrjetet sociale, ku shpjegoi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi të vështirë.
Çfarë deklaroi Rey Manaj?
Në mesazhin e tij, sulmuesi shqiptar shpjegoi se kishte bërë gjithçka për të vazhduar me Sivassporin dhe për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në elitën e futbollit turk.
Megjithatë, sipas Manajt, situata nuk ndryshoi pavarësisht mundësive të shumta që i dha klubit.
"Për familjen e Sivassporit,
Erdha te Sivasspori me një qëllim: të ndihmoja në rikthimin e klubit aty ku i takon, në Superligë, dhe të isha pjesë e atij projekti ambicioz. Fatkeqësisht, skuadra dhe kushtet e nevojshme për ta arritur këtë objektiv nuk u krijuan kurrë.
Pas një periudhe të gjatë durimi, m'u desh të merrja një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: të shkëpus kontratën me Sivassporin.
Gjatë muajve të fundit i dhashë klubit shumë mundësi. Në disa raste i dhashë zyrtarisht klubit 15 ditë afat për të përmbushur detyrimet e tij dhe çdo herë shpresoja që situata më në fund të zgjidhej. Fatkeqësisht, pagesat nuk u kryen dhe premtimet që m'u dhanë nuk u mbajtën. Gjithmonë zgjodha t'i jepja klubit një shans tjetër, por durimi im nuk u respektua.
Kjo më thyen zemrën. Sivasspori ka qenë shtëpia ime dhe unë dhashë gjithçka për këtë fanellë në fushë.
Për tifozët e Sivassporit: më mbështetët nga dita e parë deri në të fundit. Dashuria dhe respekti juaj vlejnë për mua më shumë sesa mund ta shprehin fjalët.
Edhe pse sot po ndajmë rrugët tona, Sivasspori do të mbetet gjithmonë në zemrën time dhe unë do të jem gjithmonë një tifoz i kësaj stemë.
Faleminderit për gjithçka.
Rei Manaj"
Largimi i Manajt nga Sivas, edhe pse shqiptari kishte të drejtë të ndërpriste kontratën nëse nuk paguhej, është përshkruar si ‘arrati’ në Turqi. Shqiptari udhëtoi 200 kilometra nxitimthi me makinë nga Sivas në Kajseri për të marrë avionin dhe për t’u larguar nga vendi. Sëfundmi Manaj ka ndërruar edhe agjenci përfaqësimi, teksa të drejtat e tij janë te “LIAN Sports Group”, e themeluar dhe drejtuar nga shqiptari Fali Ramadani, i cili gjithashtu është agjent edhe i shumë futbollistëve të tjerë në kombëtare.





Komente
Komento