Një 13-vjeçare nga Shkodra, e cila u gjet në Tiranë e abuzuar seksualisht pas gati dy javësh nga denoncimi i familjes për largimin nga banesa, përbën rastin e 19-të të këtij lloji të evidentuar nga Policia e Shtetit gjatë 11 muajve të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare, për periudhën në fjalë janë regjistruar 19 raste të marrëdhënieve seksuale me të mitura, me 20 autorë të identifikuar; 15 prej tyre janë arrestuar ose ndaluar, dy ndiqen në gjendje të lirë dhe tre janë shpallur në kërkim.
Hetimet për këto ngjarje synojnë të dokumentojnë jo vetëm faktin e abuzimit seksual, por edhe mënyrën se si të miturit përfshihen në këto situata, kontaktet me personat e dyshuar dhe nëse marrëdhëniet kanë qenë të shoqëruara me përfitime financiare. Në disa episode, hetuesit dyshojnë se autorët i kanë joshur të miturat në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
Një tjetër problem i nxjerrë nga hetimet është shtrirja gjeografike e rasteve: lëvizjet nga një qytet në tjetrin dhe kontaktet me persona të ndryshëm bëjnë më komplekse dokumentimin e ngjarjeve. Për këtë arsye, kamerat e sigurisë, verifikimi i itinerareve dhe dëshmitë e të miturve përdoren si prova kryesore për identifikimin e personave të dyshuar.
Në rastin e 13-vjeçares së Shkodrës, pas denoncimit të nënës për largimin e saj nga banesa, policia nisi kërkimet në bashkëpunim me disa drejtoritë vendore dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës Amerikane. E mitura u gjet pas disa ditësh në Tiranë; hetimet tregojnë se ajo kishte udhëtuar në disa qytete të vendit dhe dyshohet se është abuzuar seksualisht nga persona të ndryshëm. Në kuadër të këtij hetimi janë ndaluar 46-vjeçari Adrian Qerimi dhe 49-vjeçari Elton Vrenozi, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar.

