Shoqatat e transportit urban dhe interurban kanë bërë me dije se ditën e nesërme transporti publik në të gjitha qytetet e vendit do të filloj në orën 08:00 dhe jo në orën 05:30 siç funksion gjithmonë.

Njoftimi është bërë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku nesër (26 nëntor) është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.

Përmes një deklarate, shoqatat theksojnë se qëllimi i tyre është të shmangin shtrenjtimin e biletave dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te përdoruesit e transportit publik.

 "Transporti publik është një shërbim jetik për qytetarët, pasi garanton aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore", thuhet në deklaratë.

Operatorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, me synimin për të ruajtur çmimin aktual të biletës dhe për të garantuar vijimësinë e shërbimit publik.

Deklarata e plotë

Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketes Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe e garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.

Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik.

Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.

lajm ne perditesim...

Foto: Deklarata e plotë