“Ju nuk keni fytyrë”, “hajde jashtë” – debati në Mitrovicë eskalon në përplasje fizike
Debati për mosfinancimin e klubeve sportive në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka eskaluar në përplasje fizike mes drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Gazmend Asllani, dhe asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Berisha.
Përplasja verbale nisi gjatë diskutimit, kur drejtori Asllani iu drejtua shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, me fjalët “ju nuk keni fytyrë”.
Pas kësaj, asamblisti Artan Berisha reagoi duke e pyetur “kush nuk ka fytyrë”, ndërsa Asllani iu drejtua atij me fjalët “hajde jashtë”.
Më pas, asamblisti i PDK-së doli nga salla, ndërsa në korridorin e Kuvendit Komunal pati përplasje fizike mes asamblistit Artan Berisha dhe shoferit të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, Mon Neziri.
Si pasojë e tensioneve, seanca e Kuvendit Komunal, e cila ishte thirrur të mbahej në mbledhje të rregullt, është ndërprerë për të vazhduar pas një ore. /kp/




























