EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët që grabitën shtëpinë e Princit William dhe Kate Middleton, zbulohen çfarë vodhën
Gjashtë palë kopsa manshetash dhe një orë dore dyshohet se janë sendet e vjedhura nga dy shqiptarët e akuzuar për grabitjen në vilën e pushimit të Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton, në Norfolk të Anglisë.
Sipas Reuters, 34-vjeçari Mirgjen Doku dhe 32-vjeçari Arilen Doçi dolën këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Norwich, ku përballen me akuza për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paligjshme në një zonë të mbrojtur të pronës mbretërore Sandringham.
Sipas prokurorisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur të dyshuarit dyshohet se u ngjitën përmes një tubi kullues dhe hynë në dhomën e garderobës së çiftit mbretëror. Ata u diktuan nga një punonjës i rezidencës dhe më pas u arrestuan në një zonë të pyllëzuar, rreth dy kilometra larg ndërtesës.
Prokuroria bëri të ditur se pranë rezidencës ishte parë edhe një person i tretë i dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar. Seanca gjyqësore është shtyrë për javën e ardhshme, në pritje të miratimit të nevojshëm nga Prokurori i Përgjithshëm britanik për akuzën e hyrjes së paligjshme në një zonë të mbrojtur.
Vila në fjalë quhet Anmer Hall dhe ka dhjetë dhoma gjumi. Ajo iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha Elizabeth II si dhuratë martese në vitin 2011. Në momentin e grabitjes, në rezidencë nuk ndodhej askush. Çifti e përdor atë për pushime dhe qëndrime të shkurtra, ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në pronën e Kështjellës Windsor.
Përfaqësuesi i Princit William ka deklaruar më herët se familja mbretërore nuk komenton çështje që lidhen me sigurinë.
/vizionplus.tv




