Ish-presidenti i klubit të futbollit “Partizani”, Paro Laçi, nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe të pandehurve të tjerë në dosjen “Partizani”, duke pretenduar se ndihet i rrezikuar nga ish-kryeministri.

Përmes një shkrese drejtuar Gjykatës së Posaçme, Laçi ka bërë me dije se ndodhet në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik, dhe se ka frikë të kthehet në Shqipëri për shkak se ndihet I kërcënuar.

Laçi, i cili edhe më herët ka ngritur akuza ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, ka kërkuar të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Ai ka kërkuar gjithashtu që për çdo komunikim të mëtejshëm gjykata t’i drejtohet avokatit të tij, Idajet Beqiri.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, vendosi që dëshmia e Paro Laçit të merret nëpërmjet letërporosisë drejtuar autoriteteve zvicerane.

Sa i përket kërkesës për t’u përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, Gjykata e Posaçme sqaroi se shqyrtimi i saj nuk është kompetencë e trupit gjykues, por e prokurorisë.

Në GJKKO sot është zhvilluar seanca e radhës për çështjen “Partizani” me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të tjerë.

Në nisje të seancës gjykata vendosi caktimin e ekspertëve për të kryer aktin e ekspertimit për dëshmitarin Isa Tare, nëse vuan nga ndonjë sëmundje që mund të ndikojë në dëshmi, dhe kur u mor në pyetje në vitin 2022 a vuante nga ndonjë sëmundje.

Dëshmitari i parë ishte Rolando Llazari, i cili në periudhën 2002-2011 ka qenë i punësuar në strukturat administrative/pronësore të ministrisë të ministrisë së Mbrojtjes.

I pyetur nga SPAK nëse klubi partizani ka qenë në planin e përhapjes së Forcave të Armatosura, u shpreh se zyra e tij nuk ishte në dijeni pasi nuk ishte kompetencë e saj.

SPAK kërkoi kundërshtim të pjesshëm të dëshmisë, ndërsa Malltezi tha se prokuroria e ka gënjyer dëshmitarin sepse nuk i ka vënë në dispozicion planin e përhapjes.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për kundërshtim të pjesshëm.

Debate për dosjen “Partizani”/ SPAK kundërshton dëshminë e ish-zyrtarit të ministrisë së Mbrojtjes, Malltezi: Prokuroria e ka gënjyer! Paro Laçi shkresë GJKKO-së: Kam kërkuar azil në Zvicër

 

Top Channel