Gjykata e Posaçme ka shtyrë shpalljen e vendimit për një fraksion të dosjes “Veliaj”, ku janë nën akuzë tetë persona dhe tri shoqëri tregtare.
Vendimi, i cili pritej të jepej këtë të mërkurë, do të shpallet ditën e nesërme, në orën 15:30. Shtyrja është bërë për shkak të nevojës së gjykatës për më shumë kohë në shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të paraqitura nga palët.
Në këtë proces gjyqësor është i përfshirë edhe biznesmeni Elman Abule, i cili është paraqitur në ambientet e SPAK pak minuta para njoftimit për shtyrjen e vendimit.
Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, Prokuroria e Posaçme kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë prej të pandehurve, si dhe vendosjen e gjobave ndaj tri kompanive të përfshira në hetim.
Për Abulen, i akuzuar për pastrim parash, SPAK kërkoi një dënim prej 7 vitesh burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 4 vite e 8 muaj. Ai është gjithashtu i vetmi për të cilin prokuroria kërkoi që vuajtja e dënimit të bëhet në burg, ndërsa aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.
Sipas hetimeve, përmes kompanisë “Rametal”, biznesmeni dyshohet se ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, duke përdorur fatura që nga hetuesit dyshohen si fiktive.
Shpallja e vendimit të nesërm pritet të përcaktojë fatin gjyqësor të të pandehurve dhe përgjegjësinë e shoqërive tregtare të përfshira në këtë fraksion të dosjes.
