Goditje për rivalin e Erdoganit, gjykata i anulon diplomën Ekrem Imamoglut dhe e nxjerr jashtë garës presidenciale

25/11/2026 16:12

Ekrem Imamoglu, ish-kryebashkiaku i burgosur i Stambollit dhe një prej rivalëve kryesorë politikë të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, ka marrë një tjetër goditje në betejën e tij ligjore dhe politike.

Një nga gjykatat më të larta në Turqi ka mbështetur vendimin për anulimin e diplomës së tij universitare, duke e penguar kështu të kandidojë për president në zgjedhjet e ardhshme.

Vendimi u bë publik të mërkurën nga Këshilli i Shtetit Turk, i cili la në fuqi anulimin e diplomës që Imamoglu kishte marrë në vitin 1994, për shkak të parregullsive të konstatuara në procesin e tij akademik.

Ky vendim shteron mjetet e zakonshme ligjore, por avokatët e ish-kryebashkiakut kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin.

Çështja ka rëndësi të veçantë politike, pasi Kushtetuta turke përcakton se kandidatët për postin e presidentit duhet të kenë përfunduar studimet universitare. Për këtë arsye, për sa kohë anulimi i diplomës mbetet në fuqi, Imamoglu nuk mund të jetë kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Çështja lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë transferimit të tij në një universitet në Stamboll. Imamoglu i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se vendimi për anulimin e diplomës është i motivuar politikisht.

Imamoglu denoncon ndërhyrjet gjyqësore

Ish-kryebashkiaku nuk reagoi menjëherë pas publikimit të vendimit. Megjithatë, javën e kaluar, pasi një gazetë proqeveritare raportoi për rezultatin e çështjes përpara se avokatët e tij të njoftoheshin zyrtarisht, ai i cilësoi veprimet e autoriteteve si “operacione të paligjshme gjyqësore”.

Imamoglu ndodhet në paraburgim që prej marsit 2025 dhe përballet me një sërë akuzash për korrupsion, të cilat i mohon. Sipas raportimeve, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, dënimi i tij mund të kalojë 2 mijë vite burg.

Ndërkohë, qeveria e Erdoganit ka mohuar vazhdimisht akuzat për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, duke këmbëngulur se gjykatat veprojnë në mënyrë të pavarur.

Skandali prej 20 miliardë dollarësh trondit partinë e Erdoganit

Ndërsa opozita turke përballet me procese të shumta gjyqësore, partia në pushtet e Erdoganit po përballet me një krizë të lidhur me tregun e aksioneve, të njohur si skandali “Fonzi”.

Çështja përfshin fonde investimi me një vlerë totale prej rreth 20 miliardë dollarësh dhe prek afro gjysmë milioni investitorë.

Kriza shpërtheu në mesin e shtatorit, kur disa fonde të mëdha investimi njoftuan se nuk mund të përmbushnin kërkesat e investitorëve për tërheqjen e parave. Më pas, rregullatorët urdhëruan likuidimin e 131 fondeve të investimit, ndërsa autoritetet nisën një hetim penal për tregtim të mundshëm të paligjshëm dhe manipulim të tregut.

Më shumë se 100 persona janë burgosur në kuadër të hetimit, mes tyre zyrtarë të lartë, rregullatorë dhe politikanë. Skandali ka shkaktuar trazira në tregun turk të aksioneve, ndërsa qindra mijëra investitorë po përpiqen të rikuperojnë paratë e tyre.

Dorëhiqet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Erdoganit

Në qendër të zhvillimeve politike është edhe Hayati Yazici, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe miqve të vjetër të presidentit turk.

Yazici, i cili e njeh Erdoganin prej më shumë se 30 vitesh, dha dorëheqjen të martën nga posti i nënkryetarit të partisë në pushtet AKP, pasi djali i tij u përfshi në skandalin financiar.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai deklaroi se nuk kishte qenë kurrë i përfshirë në ndonjë aktivitet të diskutueshëm dhe mbrojti gjithashtu të birin, duke pretenduar se ai është i pafajshëm. Vetë Yazici nuk përballet me akuza për shkelje.

Ish-ministrja dyshohet se përfitoi 40 milionë dollarë nga investimet

Mes emrave të përfshirë në hetim është edhe ish-ministrja dhe zyrtarja e AKP-së, Fatma Betul Sayan Kaya.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Financial Times”, Kaya dyshohet se ka përfituar rreth 40 milionë dollarë nga investimet në fondet e lidhura me skandalin.

Ajo i ka mohuar akuzat dhe u arrestua nën dyshimin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Pas 19 ditësh në burg, ajo u lirua të martën dhe u vendos në arrest shtëpie.

Lirimi i saj shkaktoi reagime nga opozita. Oya Tekin, kryetarja e një bashkie të drejtuar nga opozita, e cila ndodhet në burg prej afro 18 muajsh dhe ka apeluar një dënim për ryshfet, reagoi duke thënë: “Dua të njëjtën drejtësi që u zbatua në rastin e Kaya-s”.

Rënia e mbështetjes për Erdoganin dhe inflacioni pranë 30%

Skandali financiar vjen në një periudhë kur sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes për partinë në pushtet. Sipas të dhënave të cituara nga “Financial Times”, AKP ka humbur më shumë se katër pikë përqindjeje që nga shtatori, kur shpërtheu kriza, ndërsa niveli i mbështetjes ka rënë nga shifrat pranë 33%.

Berk Esen, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Sabanci të Stambollit, e lidh presionin gjyqësor ndaj opozitës me rënien e mbështetjes elektorale për Erdoganin.

“Sulmet e pandërprera gjyqësore ndaj opozitës janë për shkak të rënies së mbështetjes së votuesve për Erdoganin, dhe skandali Fonzi e ka përkeqësuar më tej situatën”, u shpreh ai.

Sipas Esen, synimi i qeverisë është dobësimi i opozitës, në mënyrë që ajo të mos përbëjë më një sfidë të fortë në zgjedhje.

Top Channel