Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, priti sot në një takim Kryeprokurorin në detyrë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca.
SPAK njoftoi se biseda e dy drejtuesve u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, me vëmendje të veçantë te koordinimi i veprimeve, shkëmbimi i informacionit dhe intensifikimi i komunikimit mes strukturave përkatëse.
“Në kushtet kur krimi i organizuar shtrihet përtej kufijve shtetërorë, bashkërendimi institucional dhe partneritetet mes strukturave të drejtësisë mbetet i një rëndësi të veçantë”, nënvizoi SPAK.