Çmimet e mallrave të importuara dhe atyre të prodhuara brenda Kosovës kanë shënuar rritje të ndjeshme në baza vjetore gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2026. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Çmimeve të Importit u rrit me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Prodhimit regjistroi një rritje prej 5.9%. Në krahasim me 3-mujorin e dytë të këtij viti, çmimet e importit shënuan një rënie të lehtë prej 0.8%, e ndikuar nga ulja e çmimeve te instrumentet optike e medicinale dhe vajrat ushqyese. Megjithatë, në rrafshin vjetor, importet u shtrenjtuan kryesisht nga rritja e lartë e çmimit të lëkurës, produkteve minerale dhe plastikës e kauçukut.