NASA fotografon shkëmbinj të pazakontë në Mars, shkencëtarët nuk e dinë si janë formuar

Një zbulim i pazakontë në sipërfaqen e Marsit ka vënë në pikëpyetje shkencëtarët, pasi fotografitë e realizuara nga NASA tregojnë formacione shkëmbore të vendosura në rreshta të gjatë dhe të lakuar, të cilat krijojnë një model që ngjan me gjurmët e gishtërinjve.
Pamjet janë realizuar në gusht të vitit 2024 nga kamera HiRISE, e vendosur në sondën hapësinore Mars Reconnaissance Orbiter, e cila studion sipërfaqen e Planetit të Kuq, shkruan sciencealert.
Formacionet janë zbuluar në zonën Daedalia Planum, pjesë e rajonit vullkanik Tharsis, pranë ekuatorit të Marsit. Ajo që i bën veçanërisht interesante është mënyra se si shkëmbinjtë janë shpërndarë në terren, duke krijuar vija të rregullta dhe të lakuara, me hapësira prej pesë deri në dhjetë metrash ndërmjet tyre.
Shkencëtarët nuk kanë arritur ende të përcaktojnë mekanizmin që ka krijuar këto struktura. Një nga hipotezat është se ato janë rezultat i ndryshimeve të temperaturës, përkatësisht cikleve të ngrirjes dhe shkrirjes, të cilat mund të kenë ndikuar në zhvendosjen dhe grumbullimin e shkëmbinjve gjatë një periudhe të gjatë kohore.

Një mundësi tjetër lidhet me aktivitetin sizmik në Mars. Lëkundjet e sipërfaqes mund të kenë ndihmuar në ndarjen e shkëmbinjve sipas madhësisë, duke krijuar modele të ngjashme me ato që vërehen në disa mjedise natyrore në Tokë.
Ky proces krahasohet me të ashtuquajturin “efekti i arrës braziliane”, ku lëkundjet bëjnë që objektet më të mëdha të ngrihen mbi ato më të vogla.
Megjithatë, asnjëra prej këtyre hipotezave nuk është konfirmuar deri më tani. Studiuesit duhet të përcaktojnë nëse kushtet klimatike dhe aktiviteti sizmik në këtë pjesë të Marsit kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar formacione kaq të rregullta.
Fotografitë e reja dëshmojnë se sipërfaqja e Marsit vazhdon të fshehë dukuri gjeologjike që nuk janë vërejtur më parë dhe që mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të historisë dhe proceseve natyrore të planetit. /Telegrafi/

































