Kryeministri Edi Rama po merr pjesë sot në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Në këtë takim të nivelit të lartë janë mbledhur liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus forcimin e bashkëpunimit strategjik dhe avancimin e procesit të integrimit europian të rajonit.
Samiti përbën një moment të rëndësishëm për rikonfirmimin e angazhimit të Bashkimit Europian ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin te vijimi i reformave kyçe, përmbushja e kritereve dhe zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian.

