“As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu nuk i bënin këto nëpër mbledhje të mbyllura”, pse Spiropali bën fajtorë ushtarët dhe jo gjeneralin

25/11/2026 16:31

Nga Redi Gjuzi

“As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu s’i bënin këto nëpër mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që po akuzohej”. Në konferencën e gjatë për shtyp, Elisa Spiropali gjeti pikërisht këto dy personazhe të regjimit komunist për të krahasuar situatën politike në partinë e saj. Në gjendjen në të cilën ndodhet këta muaj, Spiropali ka gjithë të drejtën, jo vetëm të akuzojë, por të ulërasë në konferenca shtypi apo salla mbledhjesh kundër trajtimit që po i bëhet asaj.

Qartësisht, në vitin 2026, demokracia në partitë politike jo vetëm që nuk po evoluon, të paktën me ritmin biologjik, drejt standardeve të BE-së, por po kthehet në ditët më të këqija. Spiropali është vetëm një ndër shembujt e kësaj qasjeje regresive politike. Por duket se ka një problem të madh logjik në të gjithë komunikimin e saj apo të të tjerëve si ajo.

Shembujt që ajo mori për të krahasuar gjendjen e partisë së saj në dy kohë janë pikërisht problemi që ka pjellë situatën ku ajo gjendet sot. Po, edhe teneqexhiu Koçi Xoxe, edhe kryespiuni Kadri Hazbiu kanë qenë pjesë e rëndësishme e makinerisë gjakatare të Partisë. Por kanë vetëm kaq: pjesë e rëndësishme e krimit.

Është një person tjetër që ka qenë kryekrimineli, kryeorganizatori, kryeideatori i krimeve gjakatare dhe i diktaturës më të ndyrë. Ai ka qenë Enver Hoxha. Asnjë tjetër nuk ka pasur më shumë pushtet se sa Enver Hoxha. Ai ishte promovuesi, garantuesi dhe, në fund, edhe ekzekutori i të gjithë emrave që përmend Spiropali dhe i qindra të tjerëve që ajo i ka ndërmend. Ai është përgjegjësi politik dhe juridik për të gjitha çmenduritë e pas vitit 1941 e deri kur dha shpirt.

Dhe situata që i përsëritet në forma të ndryshme prej dekadash në partinë e saj ka sërish një përgjegjës. Për ta vërtetuar këtë mjaftojnë dy shembujt që ajo mori. Shqipëria nuk u bë më e mirë pas ekzekutimit të Xoxes, apo Beqir Ballukut, apo Hazbiut. Në të kundërt, u thellua në krim nën ideologjinë dhe pushtetin e Hoxhës. Sikundër korrupsioni dhe qeverisja nuk janë bërë më të mira me burgosjen e ministrave dhe drejtorëve të PS-së që nga viti 2016. Partia Socialiste nuk është bërë më demokratike dhe liberale pas përjashtimit të ish-nanoistëve apo mjaftistëve; përkundrazi, thellohet në autokraci.

Duhet të jesh naiv të besosh se autokracitë e ndajnë pushtetin me Xoxen dhe Hazbiun, apo me Ballukun apo Nesti Angonin. Nëse do ta bënin këtë, nuk do të ishin autokraci. Nëse do ta bënin këtë, nuk do të kishim institucione që i binden ideologjisë së liderit me shpejtësinë e Sigurimit të Shtetit. Autokracitë që përjashtojnë Spiropalin nga partia në vitin 2026 kanë vetëm një përgjegjës: liderin e partisë. Sepse është Edi Rama që e bëri Spiropalin kryeparlamentare apo ministre dhe është po ai që e përjashton. Dhe sërish, si shembull: as Kuvendi nuk u bë më demokratik gjatë drejtimit të Spiropalit, as qeverisja nuk u bë më racionale me emërimin apo largimin e saj si ministre.

Në kushte të tilla, e vetmja arsye pse Spiropali përpiqet t’i bëjë jehonë marrëzisë politike të para viteve 1990, duke gjetur fajtorë ushtarët dhe jo gjeneralin, është mbijetesa. Spiropali mendon se ajo mund të mbijetonte gjatë nën pushtetin e liderit, por janë Balluku dhe Nesti që ia ndërprenë rrugën. Nuk e kupton që në sistemin ku është rritur dhe formuar politikisht ka vetëm një të pazëvendësueshëm. Dhe, edhe tani që është viktimë në vetë të parë, vazhdon të rrëmojë në shembuj që janë kthyer në barcaleta gjatë viteve të komunizmit.

Por ajo duhet ta kuptojë që Enver Hoxha është përgjegjës për krimet gjakatare, edhe kur këto i kryenin Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu apo edhe Lenka Çuko, dhe që Edi Rama nuk është dhe s’ka qenë asnjë sekondë Skënderbeu, edhe kur të emëroi kryeparlamentare. Këto janë dy aksioma politike dhe historike. Nëse nuk i pranon këto, atëherë ke probleme indoktrinimi. Nëse nuk i pranon këto, atëherë, në një farë mënyre, edhe e meriton fatin që po të lexon kryetari yt, me zërin e Ballukut apo Nesti Angonit.

Top Channel