Wednesday / November 25 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Të Tjerat nga Bota

Trump propozon tarifa të reja ndaj 14 partnerëve tregtarë, përfshirë Kinën dhe BE-në

Share Share Icon

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rindezur tensionet tregtare globale, duke propozuar tarifa të reja doganore ndaj 14 partnerëve kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kinën, Bashkimin Europian, Indinë dhe Japoninë.

Administrata amerikane argumenton se masat synojnë të luftojnë atë që e konsideron si mbikapacitet strukturor të prodhimit industrial, të nxitur nga subvencionet shtetërore dhe politikat industriale që favorizojnë prodhimin përtej kërkesës së tregut.

Sipas propozimit të Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), tarifat e reja mund të arrijnë deri në 40% për Kinën, deri në 25% për Indinë, Kamboxhian, Indonezinë, Korenë e Jugut, Malajzinë, Tajvanin dhe Tajlandën, si dhe deri në 20% për Bangladeshin, Bashkimin Europian, Japoninë, Zvicrën dhe Singaporin. Në listën e partnerëve të prekur përfshihet edhe Vietnami.

Megjithatë, administrata Trump ka deklaruar se do të respektojë kufijtë tariforë të përcaktuar në marrëveshjet tregtare ekzistuese.

Për Bashkimin Europian, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, ky kufi është 15%, ndërsa për Malajzinë është 19%.

Për Kinën, tarifat e reja pritet të jenë 20%, në përputhje me marrëveshjen tregtare që skadon më 10 janar 2027. Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje për zgjatjen e saj, norma mund të rritet.

Tarifat prej 20% ndaj Kinës do t’u shtoheshin tarifave prej rreth 25% të vendosura gjatë mandatit të parë të Trump, por nuk do të kumuloheshin me tarifat prej 10% ose 12.5% të vendosura në korrik ndaj 60 partnerëve tregtarë, lidhur me pretendimet për zbatimin e pamjaftueshëm të legjislacionit kundër punës së detyruar.

Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se, për shumë vende, ndikimi përfundimtar do të kufizohet në një rritje të tarifave me disa pikë përqindjeje.

Masat pasojnë një hetim tetëmujor, të nisur në mars në bazë të Nenit 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974, ndaj 16 partnerëve tregtarë. Meksika dhe Norvegjia, të cilat ishin pjesë e hetimit, nuk janë përfshirë për momentin në propozimin për tarifat e reja.

BE-ja dhe Kina kundërshtojnë argumentet e Uashingtonit

Komisioni Europian kundërshtoi përfshirjen e BE-së në grupin e ekonomive që konsiderohen burim i mbikapacitetit industrial.

“Ne e kundërshtojmë me forcë pretendimin se Europa është burim i mbikapacitetit strukturor. Përkundrazi, Europa është ndër ekonomitë më të ekspozuara ndaj tij”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli kërkoi respektimin e kufirit tarifor prej 15%, të përcaktuar në marrëveshjen me SHBA-në, duke përfshirë edhe tarifat ekzistuese.

Pekini gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për mbikapacitet industrial dhe përsëriti kundërshtimin ndaj luftërave tregtare, pa paralajmëruar masa hakmarrëse.

Tarifat e propozuara mund të hyjnë në fuqi në janar 2027, pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik.

Masat e reja konsiderohen pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të rivendosur tarifat globale që Gjykata e Lartë e SHBA-së shfuqizoi në shkurt, pasi vendosi se presidenti kishte tejkaluar kompetencat ligjore për vendosjen e tyre. / Reuters

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Britani, një kategori e re pronarësh po ndryshon tregun e qirave

Tregu i banesave me qira në Mbretërinë e Bashkuar po pëson një transformim të rëndësishëm. Ndërsa pronarët individualë po përballen me rritjen e ko...

4 hours më parë 12 Min Lexim
Bota / SHBA /

Trump tërhiqet nga planet për marrëveshje biznesi me Rusinë

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lënë mënjanë planet për të përdorur marrëveshjet e biznesit si një stimul ekonomik për t’i dhën...

5 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!