“Po t’i llogaritej paraburgimi, do të ishte liruar”, avokatët e Thaçit paralajmëronë apel në Hagë “Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd Kosovë, midis reve të tua të rënda, gjëmimave të tua…”
Kështu nisi lidhja e Ismail Kadaresë me Kosovën, nga larg, me brengë dhe mall. Kosova u bë pjesë e pandarë e krijimtarisë së shkrimtarit, i cili shkroi për të në vargje, romane dhe letra drejtuar liderëve botërorë.
Vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare, kujtoi se në shtator të vitit 1991, nga Parisi, i ati u dërgoi letra Papës dhe tre presidentëve, ku ngrinte shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë.
“Gjysma e kombit shqiptar ka shpëtuar nga diktatura, ndërsa gjysma tjetër lëngon në një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota”, shkruante Kadare, duke paralajmëruar për një masakër të përgjakshme kundër shqiptarëve.
Mes botimeve më të rëndësishme të tij për Kosovën ishte ditari “Ra ky mort e u pamë”, ku shkrimtari dokumentoi dramën e luftës së Kosovës.
Dorëshkrimi origjinal i veprës u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Shtëpinë Studio Kadare. Publiku pati mundësinë të njihej për herë të parë me dorëshkrime, korrespondenca dhe botime të rralla që dëshmojnë lidhjen e veçantë të shkrimtarit me Kosovën.
Drejtoresha e Shtëpisë Studio Kadare, Anisa Ymeri, u shpreh se Kadareja dhe Kosova nuk kanë pasur asnjëherë kufij, një lidhje që, sipas saj, kuptohet veçanërisht përmes bibliotekës personale të shkrimtarit, e cila ruhet në fondin e Shtëpisë Studio Kadare.
Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toçi, theksoi se Kosova për shkrimtarin nuk ishte thjesht një hapësirë gjeografike, por pjesë e pandashme e botës së tij shqiptare, e shqetësimit të tij intelektual, ndërgjegjes historike dhe përgjegjësisë si shkrimtar.
Edhe zv.ministrja e MTK-së në Kosovë, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi rolin e Kadaresë në mbështetjen e çështjes së Kosovës.
“Ai përdori autoritetin e tij për të mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe për t’i bërë të dëgjueshme padrejtësitë përtej hapësirës shqiptare”, u shpreh ajo.
Mes familjarëve, miqve dhe lexuesve të Kadaresë, botuesi Bujar Hudhri kujtoi vizitën e parë të shkrimtarit në Prishtinë, si dhe rikthimin e tij në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Ai solli në vëmendje emocionet e vizitës së parë, kur Kadare pa dashurinë e kosovarëve për Shqipërinë, si dhe pritjen e ngrohtë që iu rezervua pas luftës, gjatë promovimit të librit “Ra ky mort e u pamë”.
Ekspozita përmbyll aktivitetet e organizuara me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, duke sjellë në vëmendje lidhjen e tij të veçantë me Kosovën dhe kontributin në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen shqiptare.
Top Channel