Investimet infrastrukturore 2027-2029, Karakaçi: Buxheti i shtetit financon bajpasin e Elbasanit
Transporti rrugor dhe ai hekurudhor përbëjnë shtyllat kryesore të investimeve në programin buxhetor afatmesëm 2027-2029 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kështu deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi gjatë një interviste për gazetaren Sonila Agostini në RTSH1, ku prezantoi ecurinë e disa prej akseve më strategjike në vend, përfshirë zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ndërtimin e bajpasit të Elbasanit dhe rikonstruksionin e rrugës së Ndroqit.
Duke u ndalur te arteria kryesore e vendit, autostrada Tiranë-Durrës, ministri bëri të ditur se pas përfundimit të 5 kilometrave të para dhe vijimit të punimeve drejt zonës së Qafës së Kasharit, programi afatmesëm siguron fonde të plota për mbylljen e të gjithë aksit.
“Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke marrë në konsideratë portofolin e saj, është thellësisht i fokusuar te investimet. Patjetër programi kryesor për ne është transporti rrugor dhe aty ne kemi disa lajme shumë të mira. Arteria kryesore shqiptare e transportit rrugor është autostrada Tiranë-Durrës. Tashmë 5 kilometrat e para kanë përfunduar, janë duke vijuar me zgjerimin në fazën pasuese që të shkojnë pothuajse në masë të Qafës së Kasharit, dhe ndërkohë lajmi i mirë është që në programin afatmesëm 2027-2029 zgjerimin e plotë të kësaj rruge e kemi të financuar tërësisht, duke e çuar projektin deri te Ura e Dajlanit”, u shpreh Karakaçi.
Një tjetër nyje kritike ku pritet ndërhyrje e menjëhershme është bajpasi i Elbasanit, një projekt me vlerë rreth 240 milionë euro.
“Parashikimi i qeverisë ishte që kjo të bëhej me financim të huaj, pra të merrej një hua. Megjithatë, duke marrë në konsideratë realitetin e ri të transportit rrugor dhe rëndësinë që ka marrë kjo arterie, është vendosur që bajpasi i Elbasanit të financohet nga buxheti i shtetit. Tashmë dy kontratat e para i kemi lidhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të cilat do të bëjnë shfryrjen e trafikut dhe ndarjen ndërmjet fluksit juglindor, për Korçë, Pogradec apo Maqedoni të Veriut, dhe trafikut për jug. Gjatë viteve 2027, 2028 dhe 2029 do të kemi të parashikuara fazat pasuese të këtij bajpasi”, deklaroi ai.
Gjithashtu, ministri Karakaçi vuri theksin te aksi Kombinat-Plepa, i njohur si rruga e vjetër e Ndroqit, i cili shërben si dalje alternative nga kryeqyteti drejt Durrësit. Sipas tij, pas përfundimit të 5 kilometrave të para dhe nisjes së punimeve për 10 kilometrat pasues, procesi po hyn në fazën finale.
“Për 10 kilometrat e fundit që do të çojnë në Plepa është hapur procedura konkurruese tani dhe në janar lidhet kontrata. Pra, brenda fillimit të janarit kemi kontrata tashmë të nënshkruara për të gjithë këtë segment rrugor”, theksoi ministri Karakaçi në intervistën për RTSH1.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



