Futbollisti anglez Raheem Sterling është dënuar me burg me kusht dhe dy vite heqje të lejes së drejtimit, pas një episodi të rrezikshëm në trafik, gjatë të cilit kishte thithur oksid azoti ndërsa drejtonte makinën.
31-vjeçari mori një dënim prej 12 muajsh burg, të pezulluar për 18 muaj, si dhe 100 orë punë në komunitet. Ai pranoi se më 28 maj kishte drejtuar në mënyrë të rrezikshme një Lamborghini Urus në disa akse rrugore, ndërsa thithte oksid azoti përmes një tullumbaceje.
Gjatë udhëtimit, Sterling humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me një barrierë metalike, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në makinë. Dëshmitarët, të shqetësuar nga manovrat e rrezikshme, njoftuan policinë.
Gjatë ndalimit, efektivët gjetën dy bombola në prehërin e futbollistit. Ai pranoi gjithashtu posedimin e gjashtë bombolave me oksid azoti.
Sterling, i cili ka zhvilluar 82 ndeshje dhe ka shënuar 20 gola me kombëtaren e Anglisë, ka luajtur gjatë karrierës për Liverpoolin, Manchester Cityn, Chelsean dhe Arsenalin.
Pas largimit nga Chelsea, ai u transferua te Feyenoord me një kontratë afatshkurtër, ndërsa aktualisht është pa klub.

