Abilekaj: Rama në pushtet me krimin dhe paratë e pista, Spiropali të kërkojë falje për kanabizimin dhe votën e vjedhur

16:57, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në SYRI TV, gazetari Enton Abilekaj komentoi qëndrimet e Elisa Spiropalit ndaj qeverisjes së Edi Ramës, duke theksuar se pranimi i përgjegjësisë nga ana e saj nuk u shoqërua me pendesë për politikat dhe zhvillimet e viteve të fundit.

Abilekaj u shpreh se Spiropali nuk kërkoi falje për kanabizimin e vendit, kapjen e institucioneve, goditjen e opozitës dhe zgjedhjet e pandershme, ndërsa nënvizoi se zyrtarët socialistë që sot distancohen nga Rama duhet t'i kërkojnë falje publikut dhe të pranojnë përgjegjësinë për mbështetjen që i kanë dhënë kryeministrit.

Ai theksoi se në mandatin e katërt Rama nuk ka më premtime për qytetarët, ndërsa pushteti i tij mbështetet te bizneset dhe krimi i organizuar, të cilat i cilësoi si shtyllat që e kanë mbajtur në pushtet, me strukturat partiake në rolin e zbatuesve të kësaj politike.

Pjesë nga intervista:

Është një pozicion i detyruar i Elisa Spiropalit. Duhet të kemi parasysh që gjatë këtyre viteve ka pasur njerëz që kanë dalë, kanë menduar që Edi Rama po qeveris keq. Ka pasur njerëz që i kanë dhënë kohë Edi Ramës disa herë, edhe mundësi dhe mandate. Dhe jo më kot jemi këtu, në mandatin e katërt, jo vetëm për shkak të prishjes së zgjedhjeve dhe për shkak të njerëzve si Elisa dhe si të tjerë, të cilët e kanë mbështetur Edi Ramën, i kanë dhënë shansin të qeverisë, pavarësisht akuzave, pavarësisht se ishin koshientë që ishte një kryeministër që kritikohej ose akuzohej, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga institucionet e huaja për korrupsion, për lidhjen me krimin e organizuar, për keqqeverisje etj., etj. Ata që deri sot i kanë dhënë mundësi, i kanë dhënë mbështetje, kanë dalë në mbrojtje të tij etj., etj., nuk mund të dalin sot askush që të thotë: “Nuk e di”. Do të shprehin pendesën për atë që kanë bërë.

Në disa raste, Elisa Spiropali për herë të parë e përmendi që edhe ajo është përgjegjëse si të tjerët, por në fjalën e vet nuk kishte pendesë. Nuk kishte pendesë për kanabizimin e Shqipërisë, nuk kishte pendesë për shndërrimin e Partisë Socialiste në një gazermë dhe pastaj për shndërrimin e gjithë Shqipërisë në një gazermë të Edi Ramës dhe që të gjitha institucionet të funksiononin sipas dëshirës së pushtetit të tij absolut. Nuk kishte pendesë për goditjen që Edi Rama i ka bërë herë pas here opozitës. Nuk kishte pendesë për zgjedhjet jo të ndershme, megjithëse ai i pranoi që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira. Ne, kjo na duhet. Nuk na duhet çfarë bën ajo në raport me Edi Ramën. Publikut i intereson nëse ka pendesë dhe këta që pendohen, a do të mbajnë krahun e publikut, a do t'i thonë publikut të vërtetën, a do t'u thonë që: “Ne, zotëri, pendohemi që ju vodhëm votën, pendohemi sepse ju vodhëm votën, pendohemi se ju vodhëm paratë, pendohemi se kanabizuam vendin”. Kjo, besoj unë, është gjuha që duhet të flasë në këtë vit, në këtë mandat, një zyrtar i penduar i Partisë Socialiste. Të tjerat janë hakmarrje personale për interesa personale.

Pra, vjen një moment që mandatet e një kryeministri punojnë kundër tij. Pra, një kryeministër që ka më shumë se dy mandate, në mandatin e tretë nuk mund të premtojë të njëjtat gjëra, në mandatin e katërt aq më pak. Dhe jo më kot, në mandatin e katërt bëri vetëm një premtim dhe nuk varej fare nga ai, sepse Edi Rama nuk premton dot më ujin e pijshëm, se ka gënjyer, as rrugë, as arsim, as shëndetësi. Të gjitha këto nuk i premtoi, sepse do të humbiste dhe do të dilte kundër vetes. Atëherë doli vetëm me një premtim dhe një organizim të fortë: bizneset dhe krimin e organizuar, me ato shtylla që e kanë mbajtur dhe e mbajnë edhe sot në pushtet. Dhe këta ushtarët e partisë ishin zbatuesit me ndërgjegje të plotë, duke shpresuar se do të ishin përfituesit e kësaj politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco