Debutimi ëndërr në Ligën e Kampionëve, Como renditet e treta dhe sfidon rekordin e klubit anglez

Como po mahnit Evropën në sezonin e parë të saj në Ligën e Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas ka regjistruar katër fitore në pesë ndeshjet e para të garës.
Kjo e rendit në vendin e tretë me 12 pikë dhe duke vendosur një rekord mbresëlënës për një debutuese.
Sipas statistikave të publikuara nga “Football Italia”, që nga riemërtimi i garës në Ligën e Kampionëve në vitin 1992, vetëm një skuadër e ka pasur një fillim më të mirë në sezonin e saj debutues: Leicester City, nën drejtimin e Claudio Ranierit, në edicionin 2016/17.
Katër fitore në pesë ndeshje, Como në mesin e më të mirave
Fitorja e fundit e Comos erdhi të martën mbrëma, kur skuadra italiane mposhti AEK Athinën me rezultat 1-0 në stadiumin “Giuseppe Sinigaglia”. Golin e vetëm të takimit e realizoi Luis Milla, duke i siguruar ekipit të Fabregasit triumfin e katërt në pesë ndeshje.
Më herët, Como kishte shënuar fitore të thella ndaj RB Leipzigut (4-1), Manchester Unitedit (4-1) dhe Lensit (9-1), në një paraqitje spektakolare në udhëtim. Sipas burimit, fitorja me tetë gola diferencë ndaj Lensit është më e thella e regjistruar nga një skuadër mysafire në historinë e Ligës së Kampionëve.
E vetmja skuadër që ka arritur ta mposhtë Comon në këtë edicion evropian është Feyenoordi. Megjithatë, me 12 pikë nga pesë ndeshje, italianët janë në pozitë shumë të mirë për të siguruar një vend në tetë skuadrat e para dhe kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales.

Vetëm Leicesteri i Ranierit kishte bërë më mirë
Krahasimi më domethënës për Comon është ai me Leicester Cityn e sezonit 2016/17. Pas triumfit historik në Ligën Premier, skuadra e Claudio Ranierit debutoi në Ligën e Kampionëve me rezultate të jashtëzakonshme.
“Dhelprat” fituan katër nga pesë ndeshjet e para dhe regjistruan edhe një barazim, duke siguruar kualifikimin në fazën eliminatore me një ndeshje ende për t'u zhvilluar në fazën e grupeve.

Tashmë Como është shumë pranë këtij ritmi historik dhe po dëshmon se nuk është thjesht një debutuese në garën më prestigjioze evropiane për klube. Nën drejtimin e Fabregasit, skuadra italiane po konkurron me emrat e mëdhenj të Evropës dhe ka krijuar pritshmëri të mëdha për vazhdimin e sezonit. /Telegrafi/







































