Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar për një përkeqësim të ndjeshëm të motit gjatë ditës së nesërme, me reshje intensive dhe në disa zona shumë intensive shiu, të shoqëruara me shtrëngata.
Sipas parashikimeve, qarku i Shkodrës pritet të jetë më i rrezikuari, ku reshjet do të arrijnë intensitet shumë të lartë. Situatë problematike parashikohet edhe në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ndërsa reshje intensive do të ketë gjithashtu në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Për shkak të kushteve atmosferike, IGJEO ngre alarmin për vërshime të menjëhershme të lumenjve të vegjël malorë në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, si dhe për rrëshqitje të mundshme të dherave.
Rreziku i përmbytjeve të lokalizuara mbetet i pranishëm edhe në zonat urbane të disa qarqeve, përfshirë Shkodrën, Kukësin, Dibrën, Lezhën, Durrësin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Shfaqja e këtyre problematikave do të varet edhe nga kapaciteti i sistemeve të kanalizimeve për të përballuar prurjet e ujit.
Reshjet pritet të ndikojnë edhe në prurjet e lumenjve kryesorë, ku përfshihen Drin-Buna, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Semani dhe Vjosa.
Sa i përket temperaturave, ditën e enjte ato do të variojnë nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe 3 deri në 13 gradë në zonat malore.
Ndërkohë, era parashikohet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet të jetë e fortë deri shumë e fortë.
Edhe pasditen e sotme priten reshje të dobëta, lokalisht mesatare, kryesisht në Shkodër dhe Kukës, ku nuk do të mungojnë as shtrëngatat.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditës së nesërme, veçanërisht në zonat malore dhe pranë shtretërve të lumenjve, për shkak të rrezikut nga vërshimet dhe rrëshqitjet e tokës.
