Erërat e forta dhe dallgët e larta kanë detyruar Kapitenerinë e Portit të Vlorës të ndalojë lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit në det të hapur. Përkeqësimi i kushteve atmosferike pritet të vijojë gjatë datave 25 dhe 26 nëntor, ndërsa janë anuluar edhe lundrimet e trageteve në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Sipas parashikimit meteorologjik, nga ora 15:00 e datës 25 nëntor pritet të fryjë erë nga jug-juglindja, me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 metra në sekondë. Lartësia e dallgëve parashikohet të arrijë nga 1,5 deri në 2,5 metra.
Për shkak të këtyre kushteve, Kapiteneria ka vendosur të mos lëshojë leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë në det të hapur, deri në orën 20:00 të datës 26 nëntor.
Gjithashtu, të gjitha subjektet dhe institucionet që ushtrojnë veprimtari detare janë njoftuar të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve, me qëllim shmangien e rreziqeve dhe situatave emergjente.
Ndërkohë, anijet që transportojnë mallra dhe hidrokarbure do të vijojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse.
Për shkak të motit të keq në det, janë anuluar edhe udhëtimet e trageteve që transportojnë pasagjerë dhe automjete në linjën ndërkombëtare Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i kushteve për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 26 nëntor.

