Ushtrimet fizike janë një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar shëndetin e zemrës dhe për të mbajtur tensionin e gjakut nën kontroll. Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në forcimin e zemrës, përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe uljen e presionit mbi enët e gjakut. Ndër llojet më efektive të ushtrimeve për këtë qëllim janë aktivitetet aerobike, ushtrimet e forcës dhe stërvitja me intervale me intensitet të lartë (HIIT).
1. Ushtrimet aerobike (kardio)
Ushtrimet aerobike përfshijnë lëvizjen e grupeve të mëdha muskulore, si ato të këmbëve dhe krahëve, duke rritur ritmin e zemrës dhe frymëmarrjen. Ato ndihmojnë në forcimin e zemrës dhe mushkërive, si dhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë fizike.
Disa shembuj të këtyre aktiviteteve janë:
- Ecja e shpejtë ose vrapimi.
- Noti dhe gjimnastika në ujë.
- Çiklizmi.
- Vallëzimi.
- Kërcimi me litar dhe sportet e ndryshme.
Studimet tregojnë se ushtrimet aerobike mund të ulin presionin sistolik me rreth 10-11 mmHg dhe atë diastolik me 5-6.5 mmHg. Për më tepër, efekti pozitiv mund të zgjasë deri në 24 orë pas një seance ushtrimesh.
2. Ushtrimet e rezistencës (forcës)
Ushtrimet e rezistencës ndihmojnë në rritjen e forcës dhe qëndrueshmërisë së muskujve. Ato mund të realizohen me pesha, pajisje sportive ose duke përdorur peshën e trupit.
Disa prej tyre janë:
- Pompat.
- Ulje-ngritjet e barkut.
- Planku.
- Ushtrimi wall sit (qëndrimi ulur pranë murit).
- Ngritja e peshave.
Këto ushtrime ndikojnë pozitivisht në shëndetin kardiovaskular. Studimet kanë treguar se stërvitja me pesha mund të ulë presionin sistolik me rreth 6 mmHg dhe atë diastolik me 5 mmHg. Edhe ushtrimet izometrike, ku muskujt kontraktohen dhe mbahen në një pozicion të caktuar, mund të jenë veçanërisht të dobishme.
3. Stërvitja me intervale me intensitet të lartë (HIIT)
HIIT është një metodë stërvitjeje që alternon periudha të shkurtra aktiviteti intensiv me periudha pushimi ose aktiviteti më të lehtë. Për shembull, mund të alternoni ecjen e shpejtë me ecjen normale, ose notin me ritëm të shpejtë me notin në ritëm më të ngadaltë. Sipas studimeve, kjo metodë ndihmon në uljen e presionit sistolik me mesatarisht 5.7 mmHg dhe atij diastolik me 4.6 mmHg.
Sa aktivitet fizik rekomandohet?
Për të përfituar nga efektet pozitive të aktivitetit fizik, rekomandohen të paktën 150 minuta ushtrime me intensitet mesatar në javë, ose 75 minuta aktivitet intensiv. Gjithashtu, këshillohet të përfshihen të paktën dy ditë në javë ushtrime për forcimin e muskujve. Nuk është e nevojshme që aktiviteti të kryhet i gjithi njëherësh. Për shembull, mund të bëni ecje të shpejtë për 30 minuta, pesë ditë në javë, ose ta ndani në seanca më të shkurtra gjatë ditës.