Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Azerbajxhan, ku prezantuesja e njohur televizive Ada Suleyman, ka humbur jetën në moshën 31-vjeçare, pas një aksidenti tragjik automobilistik në kryeqytetin Baku.

Ajo ndërroi jetë vetëm pak orë pasi kishte festuar ditëlindjen në një restorant, në një mbrëmje që duhej të ishte një moment gëzimi dhe feste.


Sipas raportimeve të mediave, Suleyman po udhëtonte me mikun e saj të afërt, Anar Karimov, kur vetura me të cilën po lëviznin u përplas me shpejtësi të madhe me një kamion.

Foto: Pulse News

Përplasja ishte aq e fuqishme, saqë të dy humbën jetën në vendin e ngjarjes.

Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendin e aksidentit u detyruan të përdornin pajisje speciale për t'i nxjerrë trupat e tyre nga automjeti i shkatërruar.

Detaje të tjera që kanë dalë pas ngjarjes e bëjnë edhe më të rëndë këtë tragjedi.

Sipas mediave, Ada kishte rezervuar një shofer që do ta dërgonte në shtëpi pas përfundimit të festës.

Megjithatë, miku i saj, Anar Karimov, kishte këmbëngulur që ta merrte vetë timonin dhe ta shoqëronte.

Rrethanat e sakta që çuan në përplasjen fatale ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht dhe autoritetet pritet të sqarojnë shkakun e aksidentit.

Ndërkohë, familjarët e Karimov kanë reaguar ndaj pretendimeve që kanë qarkulluar pas ngjarjes, duke mohuar se ai kishte konsumuar alkool para se të ngiste veturën.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar që përcakton nëse shpejtësia, ndonjë faktor tjetër apo një rrethanë e papritur ka ndikuar në aksident.

Ada Suleyman ishte një figurë e njohur për publikun në Azerbajxhan.

Ajo punonte si prezantuese në televizionin ARB TV, ku drejtonte emisionin “Sən olsaydin”, përmes të cilit ishte bërë e njohur për shikuesit.

Krahas angazhimit në televizion, ishte aktive edhe në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram, ku ndiqej nga më shumë se 40 mijë persona.

Ajo që duhej të ishte një ditë e veçantë për prezantuesen 31-vjeçare, përfundoi në një tragjedi që i dha fund jetës së saj në mënyrë të papritur. /Telegrafi/