Vetmia dhe mungesa e kujdesit, sfidë për të moshuarit që jetojnë vetëm në Pogradec

25 Nëntor 2026 | 18:06

Vetmia, mungesa e kujdesit dhe pasiguria për të ardhmen janë kthyer në realitet për shumë të moshuar në Pogradec. Emigrimi, krijimi i familjeve të reja dhe largimi i fëmijëve bëjnë që prindërit ta përballojnë moshën e tretë pa mbështetjen e tyre të përditshme.

Mitat Pilinçi prej rreth 20 vitesh jeton vetëm me bashkëshorten. Vajza është martuar, ndërsa djali ka emigruar. Edhe pse thotë se nuk kanë vështirësi financiare dhe i përballojnë vetë punët e përditshme, largësia nga fëmijët mbetet një mungesë që ndihet vazhdimisht.

“Ne kemi gati njëzet vjet që jetojmë vetëm me bashkëshorten. Problemet i kemi zgjidhur jashtëzakonisht mirë. Ne bashkëpunojmë edhe për të gatuar, edhe për të pastruar, edhe për të shëtitur. Të gjitha këto i bëjmë bashkë. Çupa është martuar, ka krijuar familjen e saj. Djali ka emigruar. Po problemi i ndarjes së familjes është problem me dhimbje, se largohen fëmijët, s’i ke afër. Pensionistët kanë nevojë shumë për mbështetjen e fëmijëve të tyre. Edhe kur s’kanë ndonjë problem nga ana shëndetësore, është ajo mungesa e fëmijëve, kur është edhe pasiguria. Kur je i moshuar, në vetvete ndjen një farë pasigurie”, thotë pensionisti.

Më e vështirë është situata për të moshuarit që jetojnë vetëm me pensionin, përballen me probleme shëndetësore dhe nuk kanë mbështetjen e familjarëve. Pilinçi thotë se disa prej tyre nuk arrijnë të sigurojnë as nevojat bazë, ndërsa kujton edhe raste kur të moshuar kanë ndërruar jetë pa u vënë re nga askush.

“Shumë nga ata janë braktisur nga fëmijët e tyre dhe nuk duan t’ia dinë fare se kanë lënë prindërit aty të moshuar, të sëmurë, me të ardhura të pakta. Këta duhet të njihen mirë nga punonjësit e bashkive, problemet e tyre, që ata të ndihen të barabartë me këta të tjerët. Të paktën të kenë problemet e ushqimit, të mos mungojë ushqimi, pastaj të mos mungojë edhe mjekësia, shërbimi shëndetësor. Para ca kohësh dëgjuam që vdiq një pa e ditur njeri fare”, shprehet Pilinçi.

Në Bashkinë e Pogradecit janë evidentuar rreth 804 të moshuar që jetojnë vetëm, vetëm në qytet, pa përfshirë njësitë administrative. Aktualisht, për personat që kanë nevojë për ndihmë me ushqimin, gatimin apo higjienën personale nuk ofrohet shërbim familjar në banesë. Një nga objektivat e bashkisë është ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuarit.

“Janë rreth 804 vetëm për qytetin e Pogradecit, pa përfshirë njësitë administrative. Një nga objektivat tona është ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuar. Ka shumë nevoja dhe ne nuk mundemi, pasi nuk kemi as burimet njerëzore për t’i mbuluar të gjitha. Por është një nga qëllimet tona. Mund të ketë nevojë vetëm për një pazar, për kujdesin ndaj higjienës apo për të gatuar”, thotë Ivana Llakmani, drejtore e Shërbimeve Sociale.

Aktualisht, në Pogradec funksionon një qendër ditore ku të moshuarit mund të kalojnë kohën dhe të përfitojnë falas pije të ngrohta. Megjithatë, përballë qindra personave që jetojnë vetëm, ndërtimi i një qendre rezidenciale dhe ofrimi i shërbimeve në banesë mbeten sfida për pushtetin vendor.

Vetmia në moshën e tretë nuk është vetëm një çështje familjare, por edhe një përgjegjësi sociale dhe institucionale. Për qindra të moshuar që jetojnë vetëm, kujdesi dhe mbështetja janë nevoja të përditshme që kërkojnë zgjidhje konkrete.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ceremoni dhe homazhe në Elbasan në nderim të patriotëve që shpallën pavarësinë më 1912

Elbasani përkujton sot 114-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së qytetit, një ngjarje e rëndësishme që i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 25 nëntor...
18:03 | 25/11/2026

Policia e Tiranës i drejtohet Gjykatës Administrative për ekzekutimin e gjobave ndaj protestuesve

Policia e Tiranës ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Administrative për lëshimin e urdhrave ekzekutivë lidhur me gjobat administrative të vendosura ndaj protestuesve. Sipas informacioneve paraprake,...
17:26 | 25/11/2026

Tensionohet situata në Kuvendin e Mitrovicës: Konflikt fizik mes drejtorit dhe asamblistëve të PDK-së

Debati për mosfinancimin e klubeve sportive në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka eskaluar në përplasje fizike mes drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe...
16:06 | 25/11/2026