Mosftesa nga Kombëtarja nuk e ka zbehur ambicien e Kerjotës. Futbollisti shkodran po ndërton karrierën në Edinburg të Skocisë, ku po përjeton një eksperiencë të re dhe synon të bindë me paraqitjet e tij për të marrë një mundësi në fanellën kuqezi. Në një intervistë për Di Marzio, Kerjota foli gjatë.

“Nuk jam dorëzuar kurrë, e dija që jeta ime mund të ndryshonte nga një moment në tjetrin. Në Skoci jam mirë, gjithçka në rregull, po të mos ishte për të ftohtin”, ka treguar futbollisti, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare për t’u transferuar në Itali, ku bëri xhiron e skuadrave të kategorive të ulëta, pa debutuar kurrë te profesionistët, derisa erdhi thirrja e Hearts.
“Mund të them vetëm gjëra të bukura për Edinburgun. Gjëja më e bukur? Të luash kundër skuadrave të rëndësishme si Sëlltik apo Rejnxhërs. Kur je futbollist, të hysh në ‘Celtic Park’ apo ‘Ibrox’ është një ëndërr. E njëjta gjë vlen edhe kur luajmë në shtëpinë tonë, në ‘Tynecastle’. Titulli i humbur në fund? Përtej mënyrës se si shkoi, ajo që kam përjetuar është një sezon shumë i bukur”, tha Kerjota.

“Në Skoci futbolli është shumë fizik. Unë vija nga Seria D, nga Sambenedeteze. Ndonëse luaja në atë klub dhe atë kategori, edhe pse dukeshim si Real Madridi atje për shkak se ishim shumë të fortë, mua m’u desh të përshtatesha me këtë aventurë të re. Nuk mjafton teknika, duhet fizik dhe shumë vrapim. Më është dashur të stërvitem shumë”, shpjegon Kerjota, i cili ëndërron që në të ardhmen të kthehet në Itali mes profesionistëve, ku nuk debutoi kurrë.

“Mbetet ai peng, është e vërtetë. Në Itali e nisa nga poshtë që të mund të shkoja te profesionistët. Padyshim, ekziston dëshira që një ditë të kthehem në Itali, është vendi që dua, ku kam të gjithë miqtë e mi. Të luaj në Serinë A do të ishte ëndërr, por sot jam shumë i lumtur këtu te Hearts. Nuk mungon as diskutimi për Kombëtaren, ku trajneri Maran e ftoi në grumbullimin e parë për Ligën e Kombeve, por e kaloi katër ndeshje në tribunë. Megjithatë, Kerjota është optimist se mund të ketë në të ardhmen një shans tjetër, ndoshta që nga grumbullimi në mars i kuqezinjve.

“Një emocion i papërshkrueshëm, me të vërtetë. Nuk di si ta shpjegoj. Nuk kam debutuar ende, por do të bëj më të mirën për të shfrytëzuar shanset e mia në grumbullimin e radhës. Jam stërvitur me lojtarë të cilët disa muaj më parë i shihja vetëm në televizor”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb