Kryeministri Edi Rama, në mbërritje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë një hap të guximshëm drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve kandidate, duke i përfshirë ato rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
Rama e cilësoi samitin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për vendet kandidate dhe anëtare, duke theksuar se ai përbën një mundësi për diskutime të hapura, shkëmbim pikëpamjesh dhe përcaktimin e perspektivës së ardhshme.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se Bashkimi Evropian duhet të ketë guximin të ndërmarrë një hap të rëndësishëm politik, duke u dhënë vendeve kandidate një sinjal të qartë për të ardhmen e tyre evropiane.
“Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.