Një përplasje mes një furgoni tip “Mercedes” dhe një automjeti policie është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në zonën e Kashishtit.

Sipas të dhënave paraprake, makina e policisë dyshohet se i përket Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të plagosur që të kenë pasur nevojë për ndihmë mjekësore në spital.

Pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet përkatëse për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.