Paro Laçi, dëshmitar kyç në gjyqin e aferës Partizani, kërkoi mbrojtje nga GJKKO, pasi ndihet i kërcënuar nga Sali Berisha dhe familja e tij.
Bujar Vreto, ish-kreu i PD, Librazhd i ftuar këtë të mërkurë në ‘Studio Live’ nën moderimin e Ermal Qorit, tha se kjo është një çështje e ndjeshme. Sipas tij Berisha ka pasur mundësi që të ndryshonte ligjin 7501 dhe çdo pëllëmbë tokë të kishte shkuar te i zoti, por nuk e bëri. Ai tha se në këto 36-vite janë vrarë 11 mijë e 500 veta për pronën.
“Është çështje mjaft sensitive, por dua të kthehem pak në kohë Berisha pati në dorë mjaft që mund të kishte ndryshuar apo të kishte amenduar ligjin 7501 dhe çdo pëllëmbë tokë të kishte shkuar te i zoti. Sot e 36 vite janë vrarë 11 mijë e 500 veta për tokë. Nuk e di nëse ndjen përgjegjësi morale për këto jetë të vrara, Berisha”, tha Bujar Vreto.
Ndër tjera Vreto komentoi edhe intervistën e kryeministrit Edi Rama para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“E dëgjova kryeministrin, por problemi kryesor është se Rama ka mjaft probleme të brendshme në partinë e tij. A e di BE se çfarë ndodh këtu, si po qeveriset vendi dhe çfarë kompromisesh bën ai me opozitën, vendi është në varfëri. Pse të rinjëtë duan të largohen? Nëse vazhdon ky trend ne do të kthehemi në azile pleqsh. Sot vendi ynë është në protestë. Regjimi ka ndryshuar formë por jo përmbajtje. Qeverisja e Berishës dhe LSI e meritonte rrëzimin dhe daljen në opozitë në 2013-ën edhe pse unë isha aty”, tha Vreto.
Në lidhje me përjashtimin e Elisa Spiropalit nga PS dhe dekaratën e saj sot, Vreto nënvizoi se ky establishment politik duhet të kalojë në sitë te SPAK.
“Sa i përket Spiropalit, që del dhe thotë se nuk ka demokraci të brendshme në PS, kur i erdhi kjo ide, pse nuk e kundërshtonte kur Rama i thoshte se ti do të jesh ministre e jashtme. Ky establishment politik duhet të kalojë në sitë te SPAK”, tha Vreto.
Po ashtu ai komentoi edhe vendoret e 2027-ës dhe pretendimin e opozitës se duan zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Këta pavarësisht se propagandojnë se duan zgjedhje të lira, në fakt këta, Bardhi edhe ai tjetri nuk kanë të drejtë të flasin në emër të opozitës, pasi opozita është sheshi, diaspora, të përndejkurit politik të cilët janë kundër establishmenti. Bardhi para një jave tha se kërkon lista të hapura dhe dy ditë më parë, të kuptohet se është Berisha pas se ai vetëm artikulon deklaroi se nuk na interesojnë listat e hapura për këshillin bashkiak, por na duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Vreto.











Komente
Komento